E VERTETA E ASAJ QE KERKOHET DHE ASAJ QE OFROHET



E VERTETA E ASAJ QE KERKOHET DHE ASAJ QE OFROHET

Nga:
Dr. Fehmi Huvejdi

Ndonëse është shkruar shumë rreth temës së Gazës, mendoj se historia e vërtetë nuk është treguar akoma dhe se pjesa e fshehur e temës është shumë herë më e madhe se ajo që ka dalë në shesh.

1

Nuk pretendoj se di gjithçka për faktet e kësaj historie, por të gjitha informatat e tubuara javën e shkuar më bindën se nga shumë gjëra të përcjella në mjetet tona të informacionit, disave u mungon vërtetësia, disave saktësia dhe disave pafajësia. Përpara së të shpalos gjithçka kam mbi këtë temë, dua të tërheq vëmendjen tek diçka, sepse ajo hedh dritë mbi të vërtetën e fshehur. Eshtë thjeshtëzim i tepruar dhe deformim i gjërave të thuash se agresioni izraelit kundër Gazës erdhi si pasojë e anullimit të ndalim-zjarrit dhe lëshimit të disa raketave nga Gaza. Ky pretendim është një nga gënjeshtrat e përhapura nga Izraeli, i cili ia doli ta mbjellë tek ne, aq sa u bë një nga boshtet e mediave tona. Sa për dijeni, ai që e demaskoi këtë gënjeshtër dhe e hodhi poshtë atë, ishte shkrimtari dhe hulumtuesi çifut amerikan Henri Sigman në artikullin e tij të rëndësishëm dhe dritëhedhës “Gënjeshtrat e Izraelit” të botuar më 29 janar në revistën “London Review of Books”, i cili mund të përmblidhet me fjalët se ishte Izraeli ai që e shkeli ndalim-zjarrin dhe jo Hamasi. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe profesori në Universitetin e Harvardit Xhon Mirzhajmer, i cili shkroi artikullin “Luftë e re, humbje e re”, në të cilin ai shkroi se shkaku i luftës nuk ishte Hamasi, por ndjekja nga Izraeli i objektivit të “Izraelit të madh”.

Eshtë e vërtetë se lufta për realizimin e projektit izraelit në Palestinë vazhdon prej 100 vjetësh, por rezultatet surprizë të zgjedhjeve të vitit 2006 për Këshillin Legjislativ palestinez ishin pika e kthesës në këtë rrjedhë, sepse votimi nga ana e popullit palestinez pro rezistencës dhe fitorja nga ana e lëvizjes Hamas të shumicës së vendeve të Këshillit i përmbysi të gjithë ekulibrat dhe i shokoi të gjithë. Vetëm atëherë Izraeli e kuptoi faktin se projekti i saj për një zgjidhje politike po vihej në rrezik, pikërisht ashtu siç e ndjeu edhe fraksioni i pushtetit në Ramallah se monopolizimi nga ana e tij të kryesimit të skenës palestineze ishte vënë edhe ai në rrezik, gjë që solli në një marrëveshje për domosdoshmërinë e pezullimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe heqjen qafe me çdo mjet të Hamasit dhe asaj që ajo përfaqëson. Kështu Izraeli mori përsipër të arrestonte shumicën e përfaqësuesve të Hamasit në Këshillin Legjislativ me në krye kryetarin e tij, ndërsa aparatet e pushtetit në Gaza rrëzimin e qeverisë së zgjedhur.

Dhe filloi vënia e shkopinjve nën rrota me bojkotimin e qeverisë, pastaj me pjesëmarrjen në qeverinë e unitetit kombëtar, të cilën Ebu Mazeni nuk pushoi së bojkotuari, ndërkohë që shërbimet e tij të sigurisë morën përsipër të përhapin pasiguri dhe destabilitet për të sabotuar punën e qeverisë, gjë që e detyroi qeverinë të shtinte në dorë selitë e atyre shërbimeve, me qëllim prishjen e planeve të tyre dhe dhënies fund të rebelimit. Në artikullin e tij të botuar në revistën amerikane “Vanity Fair” në prill të vitit 2008, gazetari amerikan Dejvid Rouz dokumentoi rolin amerikan në grushtin e shtetit dhe përpjekjet për rrëzimin e qevrisë.

Kur puçi i brendshëm i udhëhequr nga shërbimet e sigurisë dështoi, Izraeli ndërmorri rrethimin e Gazës, por edhe përpjekjet për gjunjëzim nga uria nuk ia dolën t’i nxisin palestinezët që të ngriheshin dhe të përmbysnin qeverinë, ashtu siç shpresohej. E ndodhur përballë dështimit të të gjithë përpjekjeve, Izraeli iu drejtua armëve për realizimin e objektivit aq shumë të pritur nëpërmjet operacionit ushtarak që filloi më 27 dhjetor, me qëllimin zhdukjen e rezistencës dhe pasojave të zgjedhjeve të vitit 2006.

2

Dihet se ndërmjetësimi egjiptian çoi në ndalim-zjarr për një periudhë gjashtëmujore, e cila përfundoi me datë 17 dhjetor 2008 dhe se gjatë kësaj periudhe lëvizja Hamas i ndërpreu të gjithë veprimet e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit, duke respektuar marrëveshjen, ndërkohë që Izraeli nuk respektoi asgjë nga kjo marrëveshje, as zotimet për hapjen e vendkalimeve kufitare për të lejuar përmbushjen e nevojave jetësore të njerëzve dhe as ndërprerjen e veprimeve luftarake, duke i vazhduar inkursionet dhe eliminimet fizike, i fundit nga të cilët ishte vrasja e gjashtë pjesëtarëve të Hamasit më 4 nëntor 2008.

Këto fjalë nuk janë të miat, por janë përcjellur në dëshminë e ish-komandantit izraelit në Gaza Shmuel Zakai të botuar në gazetën HaAretz në numrin e 22 dhjetorit, në të cilën ai përmend se Izraeli e keqpërdori periudhën e ndalim-zjarrit, duke e vazhduar rrethimin e palestinezëve të Gazës dhe se ky ndalim-zjarri do të vazhdonte, nëse Izraeli nuk do të ngulte këmbë për vazhdimin e rrethimit dhe shtypjen e palestinezëve.

Kur ndalim-zjarrit i erdhi fundi më 17 dhjetor, nuk u mor asnjë kontakt me udhëheqësit e Hamasit në lidhje me hapat e mëtejshme dhe nuk është aspak e vërtetë se asokohe ata u këshilluan dhe paralajmëruan në lidhje me pasojat siç u përmend në disa deklarata politike, ndaj u desh që grupimet e rezistencës të përcaktonin qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e tyre organizuan takime në Gaza dhe Damask, pas së cilave deklaruan se periudha, për të cilën kishin rënë dakord, kishte mbaruar dhe se përballë vazhdimit nga Izraeli të rrethimit dhe eliminimit të militantëve, ata ishin të çliruar nga kjo marrëveshje.

Që të jemi të saktë, një javë përpara luftës, Kajro kreu dy telefonata me njërin nga udhëheqësit e Hamasit, Dr. Mahmud Ezzihar në lidhje me përtëritjen e ndalim-zjarrit, por përgjigja ishte se Hamasi dhe grupimet e tjera të rezistencës në Gaza nuk mund ta pranonin përtëritjen e saj për sa kohë që vazhdonte rrethimi. Pavarësisht nga lajmet për drejtimin e Izraelit kah sulmi kundër Rripit të Gazës, Dr. Ezzihar mori një telefonatë nga Kajro ditën e enjte me datë 25 dhjetor dhe u njoftua se Izraeli nuk kishte ndërmend të ndërmerrte operacione ushtarake, por Izraeli e ndërmori sulmin e tij të befasishëm dhe të ashpër më 27 dhjetor, pra dy ditë pas kësaj telefonate.

Sipas vlerësimit paraprak izraelit, operacioni duhej të zgjaste vetëm tre ditë dhe se bombardimi intensiv dhe çmenduror do ta detyronte rezistencën të kapitullonte. Asokohe u vunë re tre gjëra:
  1. Takimi urgjent i ministrave të jashtëm arabë u vendos pesë ditë pas fillimit të luftës;
  2. Disa pjesëtarë të shërbimit të sigurimit parandalues palestinez, të cilët ia kishin mbathur nga Gaza, ishin drejtuar në pjesën egjiptiane të Rafahut, duke besuar që udhëheqësit e Hamasit do t’ia mbathnin nga Gaza, gjë që do të krijonte terrenin për rikthimin e tyre;
  3. Nuk ishte marrë asnjë kontakt me udhëheqësit e rezistencës jashtë, me përjashtim të një telefonate të sekretarit të përgjithshmë të Ligës Arabe Amr Musa me Zijad Nahalen, nënkryetarin e lëvizjes së Xhihadit Islam, i cili qëndron në Damask.

Në ditën e gjashtë, pra të enjten e parë të janarit, Zyra Politike e Hamasit mori një telefonatë nga një nga zyrtarët e shërbimeve të fshehta në Kajro, me anë të së cilës ftohej një delegacion të lëvizjes për të diskutuar situatën në kryeqytetin egjiptian. Duhet ditur se linja e kontaktit ishte ndërprerë që kur Hamasi refuzoi të marrë pjesë në konferencën e pajtimit në nëntor 2008. Në mënyrë që të mos krijohej përshtypja se lëvizja mezi e priste ndalimin e zjarrit, Hamasi e vonoi dërgimin e delegacionit deri më 4 janar. Në të njëjtën kohë, një javë pas fillimit të luftës, francezët dhe danezët morën kontakte me udhëheqjen e Zyrës Politike në Damask për të parë mundësinë e ndalimit të zjarrit. Nga këto kontakte kuptohen dy gjëra: E para, se qëndresa e rezistencës i kishte befasuar të gjithë dhe se kjo gjë nuk ishtë llogaritur më parë dhe e dyta, se Izraeli donte ta përfundonte luftën, duke i imponuar Hamasit kushtet e kapitullimit. Në lidhje më këtë gjë, u vu re se sulmet izraelite shtoheshin dhe ashpërsoheshin gjatë pranisë së përfaqësuesve të Hamasit në Kajro, duke shërbyer si mjet presioni ndaj negociatorëve për t’i detyruar të pranonin kapitullimin. Ka shumë fakte që tregojnë se kryeministri izraelit Ehud Olmert e shtyu dy herë shpalljen e ndalimit të zjarrit, në pritje të asaj që mund të rezultonin takimet e Kajros, ku Hamasi i refuzoi të gjitha diktatet izraelite që iu përcollën.

3

Gjatë dhe pas luftës qarkulluan dy mite: Së pari, se beteja synonte t’i priste rrugën ndikimit iranian në rajon, thashethem ky, me anë të të cilit, Izraeli dëshironte të realizonte tre objektivë:
  1. Prishjen e imazhit të rezistencës palestineze dhe paraqitjen e saj si vegël në duart e Iranit,
  2. Alarmimin e botës arabe, disa nga rregjimet e së cilët i frikësohen Iranit, duke krijuar iluzionin se armiku i vërtetë i arabëve është Irani dhe jo Izraeli, gjë të cilën e shprehu qartë ministria e jashtme Cipi Livni
  3. Qërimin e hesapeve me Iranin, të cilin shteti çifut e konsideron sfidën më të madhe për të, veçanërisht nën hijen e vazhdimit nga ana e këtij të fundit të programit të tij bërthamor.
Paradoksi qëndron në faktin se tundja e gënjeshtrës së ndërhyrjes së huaj iraniane bëhet në kohën kur SHBA-ja mban e vetme në dorë krejt dosjen palestineze, gjë që e pranoi zyrtarisht në konferencën e Anapolisit. Pastaj kjo thënie nuk bën dallim ndërmjet aleatit dhe agjentit. Ata që e përsërisin atë nuk e dinë apo bëjnë sikur nuk e dinë se Hamasi refuzoi të marrë pjesë në konferencën e grupimeve palestineze, për të cilën bëri thirrje Teherani gjatë mbledhjes së konferencës së Anapolisit, gjë që turbulloi për disa kohë marrëdhëniet ndërmjet tyre, ashtu siç refuzoi vërejtjet iraniane për marrëveshjen e ndalimit-zjarrit që u nënshkrua në qershor 2008, të cilat i solli një i dërguar iranian që mbërriti në Damask asokohe më avion të posaçëm. Hamasi i tha atij qartë se lëvizja kujdesej për vazhdimin e aleancës me Iranin, por kujdesej akoma më shumë për ruajtjen e pavarësisë së vendimmarrjes nga ana e saj. Veç këtyre shembujve, ka edhe shumë të tjerë të ngjashëm, por që nuk mund t’i përmendim të gjithë këtu. Eshtë për t’u habitur se të gjithë ata që i frikësohen mbështetjes që Irani i jep rezistencës nuk shprehin asnjë rezervë për aleancën amerikano-izraelite në kahun tjetër.
Gënjeshtrën e dytë e përfaqëson besimi mbizotërues në disa qarqe politike arabe se koalicioni qeverisës në Izrael i tanishëm “Livni-Barak apo Kadima-Laburistët” është më i mirë për arabët se Likudi që e kryeson Beniamin Netaniahu, ndaj vihet re një kujdes i madh dhe lëvizje të rëndësishme nga ana e këtyre qarqeve politike arabe për daljen me sukses të koalicionit ekzistues dhe rëndimin e peshores nga ana e tij përballë Likudit. Kjo gjë u vu re në presionet e ngutura arabe, si për shpalljen e ndalim-zjarrit, ashtu edhe në deklaratën me të cilën dolën në Ebu Dabi përfaqësuesit e “moderimit arab”, të cilët mbështetën pikat që nuk mundën të kalohen në samitin e Kuvajtit, veçanërisht ato në lidhje me përkushtimin ndaj iniciativës arabe, pa shikuar se sa ndikojnë këto përpjekje tek votuesit izraelitë. Ata të cilët kapen pas iluzioneve dhe venë bast për koalicionin qeverisës së qendrës së majtë harrojnë se të gjitha luftërat që ka bërë Izraeli kundër arabëve janë udhëhequr nga ky koalicion i ndyrë, me përjashtim të ngjarjeve të vitit 1982, kur ishte Sharoni i Likudit ai që udhëhoqi fushatën e invazionit të Bejrutit.

4

Ndoshta keni vënë re se nuk kam folur për rolin e “samiteve” që u mblodhën gjatë luftës dhe për të në Katar, Kuvajt, Shermi Shejh dhe Rijad. Argumenti im për këtë gjë është se ato nuk kanë ndryshuar asgjë në politikat e ndjekura, ndonëse kanë ndihmuar në ndreqjen e atmosferës dhe shkrirjen e akullit ndërmjet udhëheqësve të përçarë, në kuptimin që ato kanë konsoliduar përçarjen arabe dhe për pasojë, kanë thelluar përçarjen palestineze dhe kanë lejuar vazhdimin e saj. Akoma nuk është koha për të hyrë në hollësitë e asaj që ndodhi në ato samite dhe kulisat e tyre.

Ajo që na intereson në serialin aktual është fakti se ato objektiva që Izraeli nuk i realizoi me luftë, po mundohet tani t’i arrijë nëpërmjet presioneve dhe diktateve politike. Nënshtrimi i Hamasit dhe anullimi i rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2006 vazhdon të jetë objektiv, nga i cili Izraeli dhe ato që i vijnë pas, nuk duan të heqin dorë. Për rrjedhojë, ajo që ofrohet tani është pikërisht kthimi në gjendjen e përpara 27 dhjetorit në atë gjendje ndalim-zjarri, e cila i lidh duart rezistencës, i le dorë të lirë Izraelit dhe mban në këmbë një gjendje të përmirësuar të rrethimit ndaj Gazës, pas së cilës çdo gjë tjetër do të pezullohet, veçanërisht rindërtimi, heqja e rrënojave dhe nxjerrja e kufomave që janë nën to, derisa Hamasi të nënshtrohet dhe të pranojë gjithçka që pati refuzuar më parë, megjithë gjakun e derdhur dhe shkatërrimet e pësuara.
Për shkak se këto gjëra janë shkruar përpara se Kajro të marrë përgjigjen e Hamasit në lidhje me ato që i janë vënë përpara si dhe përpara se të zhvillohen zgjedhjet izraelite, është herët të flasim për skenaret e së ardhmes, ndërkohë që vëzhgimi dhe pritja mbeten virtyte të pëlqyera.

Shqipëroi: Genc Çurgu
Marrë nga: www.aljazeera.net

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"