INTERVISTE ME KAMERAMANIN E EL XHEZIRAS, SAMI EL HAXHXH, ISH I BURGOSUR NE GUANTANAMO





Sami El Haxhxh, kameramani i El Xheziras, rrëfen historinë e tij


nga
Silvia Katori
gazetare zvicerane

I gjatë, shtatdrejtë, një njeri impresiv dhe tepër introspektiv, Sami El Haxhxh ecën duke çaluar me ndihmën e një shkopi. As e qeshura apo buzëqeshja nuk e ndriçon fytyrën e vuajtur të këtij njeriu të plakur para kohe. Një trishtim i thellë e kaplon. Ishte vetëm 32 vjeç, kur në dhjetor të vitit 2001, jeta e tij, ashtu si ajo e dhjetëra mijëra muslimanëve, u shndërrua në një makth të tmerrshëm.
Ai ka kaluar nëpër vuajtje të tmerrshme. I dobësuar nga një greve urie që zgjati 438 ditë, i liruar më 1 maj 2008, ai të përshëndet me shumë kujdes dhe mirësjellje. Qetësisht të tregon për një botë, në të cilën tmerri paralizues dhe mbytës e tejkalon imagjinatën tënde. Ai është i pari nga të burgosurit e liruar nga kampet e ngritura nga administrata Bush në bazën detare të Guantanamos, i cili është autorizuar që të udhëtojë.
“Erdha në Gjenevë, qytetin e Kombeve të Bashkuara dhe të lirisë, për të kërkuar respektimin e ligjit, mbylljen e kampit të Guantanamos dhe burgjeve të tjera të fshehta, si dhe dhënien fund të kësaj gjendjeje të paligjshme”, thotë ai me qetësi. Fjalët u thanë; çdo gjë është e paligjshme, e rreme, e manipuluar, absurde dhe kafkeske në këtë luftë që bëhet kryesisht kundër ithtarëve të besimit Islam.
Tani ne dimë shumë gjëra, mbi të gjitha dimë se që nga viti 1996, shumë nga sulmet terroriste, të cilat u janë atribuar muslimanëve, janë financuar dhe manipuluar nga agjentët e fshehtë të MI6-s, CIA-s dhe Mossad-it. Ishin dëshmitarë trima si ish-ministri gjerman Andreas fon Bylov, të cilët zbuluan dhe denoncuan këtë veprimtari kriminale të praktikuar nga superfuqitë. Me përjashtim të massmediave të reja, cili gazetar ka folur ndonjëherë për zbulimet e bëra nga ky burrë i madh, Andreas fon Bylov?
Në Guantanamo, i shtyrë nga pasioni i tij për drejtësinë dhe bindja e tij se misioni i secilit gazetar është të dëshmojë atë që sheh, Sami El Haxhxh gjeti forcën psikologjikë për të vazhduar, duke i bërë ballë abuzimeve më të këqija dhe duke lënë mënjanë vuajtjet e tij. Përvoja e tij ishtë tmerrësisht e dhimbshme, por ai ia doli mbanë, bile edhe në çastet më të këqija, të kapej pas shpresës se do të dilte i gjallë. Ai duhet të vëzhgonte çdo gjë, që të ishte në gjendje t’ia rrëfente të gjithë botës, dhe kjo gjë e ndihmoi atë të duronte atë që nuk durohet.
Mbi të gjitha, duke e parë atë vend të tmerrshëm të krijuar nga presidenti Bush, i cili mund të bëhej edhe varri i tij, me syrin objektiv të gazetarit, Sami El Haxhxh ia doli të mbijetonte dhe të mos çmendej. Të tjerë që nuk patën fatin e tij, vdiqën ose u çmendën, duke mos mundur kështu të rrëfenin përvojën e tyre.
Pa patur as laps dhe as letër, ai e detyroi vetveten që të mbante mend çdo gjë, bile edhe në kafaz, për të vazhduar punën e tij si “një gazetar i El Xheziras që mbulonte një ngjarje”, siç e quan ai. Sot ai udhëhiqet nga ideja se bota duhet të dijë dhe të ketë parasysh fatin e dhjetëra mijëra të burgosurve, të cilët akoma vuajnë trajtime çnjerëzore në burgjet e Guantanamos, Bagramit dhe Kandaharit. Pa u lodhur aspak, ai u përgjigjet më shumë mirësjellje të gjithë gazetarëve që e intervistojnë, duke shpresuar se fjalët e tij do të bëjnë që të dëgjohet zëri i atyre që nuk kanë zë.
Rrëfimi i tij është i prerë. Si të gjithë të burgosurit e tjerë, të cilët janë etiketuar padrejtësisht si “terroristë”, Sami nuk ka dalë kurrë përpara gjyqit dhe nuk është informuar kurrë për akuzat e ngritura kundër tij, gjë që tregon se presidenti Bush dhe gazetarët që mbështesin teoritë e tij, duhet t’i kenë shpikur “terroristët islamikë”. Qënie njerëzore si Sami El Haxhxh nuk do të ishin arrestuar dhe mbajtur pengje të këtij barbarizmi, për të vetmen arsye se janë muslimanë, pa implikimin e qeverive evropiane dhe atyre propagandistëve islamofobikë, vegla të Tel Avivit dhe Uashingtonit, që e kanë keqinformuar dhe kanë ndikuar mbi opinionin publik me gënjeshtrat e tyre.



Silvia Katori: Si ndiheni tani, pak javë pas lirimit tuaj?

Sami El Haxhxh: Ndihem mirë, ju faleminderit. Kur shoh njerëz, që ia kanë përkushtuar veten ruajtjes së qënieve njerëzore dhe që luftojnë për të mbrojtur të drejtat e tyre, kjo gjë më bën të ndjehem mirë. Natyrisht, kur u largova nga Guantanamo para dy muajsh, isha shumë keq, por tani ndihem mirë, kur shoh se shumë njerëz jashtë luftojnë dhe nuk e harrojnë objektivin kryesor: arritjen e paqes dhe lirisë për të gjithë.

Silvia Katori: Pas kaq vitesh të dhimbshme të kaluar nëpër kampe, cilat janë ndjenjat dhe shpresat tuaja më të mëdha?

Sami El Haxhxh: Natyrisht, jam i lumtur që jam përsëri i lirë. Jam bashkuar përsëri me familjen, gruan dhe tim bir. Për gjashtë vjet e gjysëm, ai nuk më ka parë dhe ka shkuar në shkollë pa mua. Ai më priti dhe më tha: “Baba, më ke munguar shumë! Kam qenë jo i lumtur, veçanërisht kur shihja shokët e shkollës më baballarët e tyre, të cilët më pyesnin se ku e kisha babin. Nuk dija se çfarë t’u thoja. Ja pse i kërkova mamit të më çonte në shkollë me veturë, sepse nuk doja që të më bënin atë pyetje.”
I thashë tim biri: “Tani mund të të çoj në shkollë, por ti duhet ta kuptosh se unë kam një mesazh për të përcjellë dhe një çështje të drejtë për të mbrojtur. Duhet të luftoj për të drejtat e njeriut, për ata që ju është mohuar liria. Nuk dua të luftoj i vetëm. Ka mijëra njerëz që janë ngritur në këmbë dhe po luftojnë sa herë që dinjiteti njerëzor nëpërkëmbet. Mos harro se ne luftojmë për paqen, për të mbrojtur të drejtat sa herë që mohohen, për një të ardhme më të mirë për ju. Ndoshta një ditë do ta arrijmë këtë gjë dhe atëherë, do të qëndroj me ty dhe do të të çoj në shkollë”.
Nuk e di nëse më kuptoi, sepse është shumë i vogël, por më buzëqeshi. Ime shoqe nuk deshi të më linte të largohesha përsëri. Por kur i kujtova gjendjen e tmerrshme, në të cilën gjenden ata në Guantanamo, të cilët kanë edhe ata familje, gra, bij dhe bija, të cilëve ju mungojnë kaq shumë dhe që, nëse unë nuk luftoj, ata njerëz do të mbeten të burgosur, ajo më kuptoi së unë duhet të vazhdoj të udhëtoj, duke e bashkuar zërin tim më zërat e tjerë, në mënyrë që të burgosurit të kthehen në shtëpitë e tyre sa më shpejt. Ajo më dha mbështetje të plotë. Rrugës për në aeroport, ajo më tha: “Do të lutem për ty”.

Silvia Katori: Kështu, duke shkuar në Afganistan për të filmuar masakrat e civilëve, viktimave të luftës së presidentit Bush, u bëtë edhe vetë një nga viktimat e tij? A nuk keni frikë nga ajo që mund t’iu ndodhë përsëri?

Sami El Haxhxh: Për mua nuk ka pyetje. Do të vazhdoj punën time si gazetar. Duhet të vazhdoj të përcjell mesazhin e paqes, çfarëdo që të ndodhë. Kalova gjashtë vjet dhe gjashtë muaj në burg larg familjes, por të tjerëve u ndodhi shumë më keq. Kam humbur një mik shumë të dashur, gazetar të El Xheziras, i cili u vra në Bagdad, kur hoteli, në të cilin ndodhej, u bombardua. Po ashtu kam humbur edhe një kolege, me të cilën kemi punuar bashkë në El Xhezira, të cilën e konsideroja si motër. Edhe ajo u vra në Bagdad.
Shumë njerëz kanë humbur jetën për shkak të kësaj lufte. Ju duhet ta dini se administrata Bush donte të parandalonte mbulimin e ngjarjeve në Lindjen e Mesme nga një media e lirë si El Xhezira. Zyrat e El Xheziras në Kabul dhe Bagdad u bombarduan.
Në vitin 2001, kur lashë gruan dhe tim bir për të filmuar luftën e filluar nga SHBA-ja kundër Afganistanit, më duhej të merrja parasysh se mund të gjeja vdekjen gjatë një bombardimi. Shkova atje i vetëdijshëm për rreziqet. Çdo gazetar e di se është duke kryer një mision dhe duhet të jetë gati të vetëflijohet që të mund të përcjellë ato që ndodhin, me anë të filmimit dhe shkrimeve të tij, duke i ndihmuar njerëzve të kuptojnë se lufta sjell vetëm shkatërrime, vuajtje dhe vdekjen e të pafajshmëve. Mbi bazën e kësaj bindjeje, kolegët e mi dhe unë shkuam në vende që gjenden në luftë.
Tani, pas gjithë këtyre viteve në robëri, përsëri mund të bëj diçka që mund të sjellë paqen. Ja kam përkushtuar veten këtij qëllimi, derisa të realizohet. Jam i sigurtë se një ditë, edhe nëse personalisht mund të mos i gëzoj frytet e kësaj pune, do të arrijmë paqen dhe respektimin e të drejtave njerëzore, si dhe mbrojtjen e gazetarëve kudo në botë. Jam i sigurt se do ta shohim ditën kur gazetarët të mos torturohen apo lëndohen duke bërë punën e tyre, duke mbrojtur të drejtën e njerëzve për informim dhe duke hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut.

Silvia Katori: Ju thatë në fillim se ndjeheni mirë. Por pas gjithë asaj përvoje të tmerrshme dhe duke patur parasysh faktin se ju u liruat pa ju kërkuar asnjë të falur nga ana e torturuesve, si ka mundësi të flisni për këtë gjë pa zemërim apo hidhërim?

Sami El Haxhxh: Natyrisht, ajo që më ndodhi ishtë shumë e rëndë dhe gjendja ime përsonale është e vështirë. Por kur mendoj për ata që janë akoma në Guantanamo dhe familjet e tyre, të cilëve ju mungojnë dhe për të cilët nuk kanë asnjë lajm, i them vetes se gjendja ime, sado e vështirë që është, është shumë më e mirë se ajo e tyre.
Nuk mund të harroj se në Guantanamo kam lënë pas vëllezër që kanë rënë në depresion, që janë çmendur. Mendoj në veçanti për një doktor nga Jemeni, i cili tani jeton lakuriq në qelinë e tij, sepse është çmendur.

Silvia Katori: Çfarë lloj torturave u jeni nënshtruar?

Sami El Haxhxh: Të gjithë llojeve të torturave fizike dhe psikike. Duke qenë se të gjithë të burgosurit janë muslimanë, administrata e burgut i vë ata përpara formave të ndryshme të ngacmimeve dhe poshtërimeve në lidhje me fenë. Kam parë me sytë e mi se si ushtarët grisnin Kur’anin dhe e hidhnin atë në tualet. I kam parë ata gjatë seancave hetimore të ulen mbi Kur’an derisa të merrnin përgjigje për pyetjet e tyre. Ata ofendonin familjet tona dhe fenë tonë. Talleshin duke pretenduar se i telefononin Zotit tonë, duke i kërkuar gjoja të vinte dhe të na shpëtonte. I vetmi imam në kamp u akuzua për bashkëpunim me të burgosurit dhe u dëbua ne vitin 2005, sepse refuzoi t’u tregonte vizitorëve që kampi respektonte të drejtat fetare.
Na rrihnin. Na mbytnin me të shara raciste. Na mbyllnin në dhoma të ftohta me temperaturë nën zero dhe na jepnin vetëm një racion ushqimi të ftohtë në ditë. Na varnin nga duart. Na privonin nga të fjeturit dhe kur fillonim të flinim, na qëllonin në kokë. Na shfaqnin filmimet e seancave më të tmerrshme të torturave. Na tregonin fotografitë e viktimave të torturave: të vdekur, të fryrë, të mbuluar me gjak. Ata na mbanin gjithmonë nën kërcënimin konstant të të shpërngulurit në një vend tjetër për t’u torturuar edhe më shumë. Na lagnin me ujë të ftohtë. Na detyronim të përshëndetnim ushtarakisht himnin kombëtar amerikan. Na detyronim të vishnim rroba grash. Na detyronin të shihnim fotografi pornografike. Na kërcënonin me përdhunim. Na çvishnin lakuriq dhe na detyronim të ecnim si gomarët. Na detyronim të uleshim dhe të ngriheshim 500 herë me rradhë. Ata i poshtëronin të burgosurit duke i mbështjellë me flamurët e Izraelit dhe SHBA-së, me të cilën na tregonin se ishim të burgosur për shkak të një lufte fetare.
Kur një të burgosur, pis dhe të mbushur me pleshta, e nxjerrin nga qelia e tij për t’ia nënshtruar seancave të torturës në përpjekje për ta detyruar që të bashkëpunojë, ai nuk di më së çfarë thotë, bile nuk di as se kush është.
Jam marrë në pyetje dhe jam torturuar më shumë se 200 herë. 95% të pyetjeve ishin rreth El Xheziras. Ata donin që të punoja si spiun brenda El Xheziras. Në shkëmbim të saj, më ofruan qytetarinë amerikane për vete dhe familjen, si dhe pagë në bazë të rezultateve. Unë refuzova. Vazhdimisht u thoja se jam gazetar, jo spiun, dhe se ishte detyra ime të tregoja të vërtetën dhe të punoja për respektimin e të drejtave njerëzore.

Silvia Katori: Sot, a të bën zemra t’i falësh torturuesit tuaj?

Sami El Haxhxh: Natyrisht, do t’i fal nëse e mbyllin Guantanamon. Por nëse vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje, do të shkoj nëpër gjykata dhe do të ndërmarr veprime ndaj tyre.
Ndonëse e di se administrata Bush ka bërë shumë të këqija, akoma mendoj se nuk është vonë për këta njërëz që të pendohen për fajet e tyre.
Dua të bëj dallim ndërmjet administratës dhe popullit. Të burgosurit e Guantanamos e dinë se kanë miq në Amerikë, si avokati që erdhi në Guantanamo dhe luftoi për kauzën time.

Silvia Katori: A kam të drejtë të mendoj se ata nuk arritën të të thyejnë?

Sami El Haxhxh: Sepse unë nuk jam vetëm dhe se ka njerëz që më mbështesin. Kjo ndjenjë më jep forcë. Në burg e merrja forcën nga besimi se asnjë njeri i lirë nuk mund ta pranonte të qënit në këtë pozitë inferioriteti dhe çnjerëzimi. Ndjen dhembje dhe keqardhje, por je i vendosur ta mbash gjallë shpresën se e gjithë kjo do të marrë fund dhe ideja që, edhe në burg është e mundur të vazhdosh të punosh si gazetar, i bën vuajtjet më të lehta për t’u duruar.

Silvia Katori: Kur ishe në Guantanamo, a e dije se jashtë kishte shumë njerëz që luftonin për lirimin tënd?

Sami El Haxhxh: Në fakt, unë nuk dija gjë për ta, sepse në burg është shumë e vështirë të marrësh lajme, bile edhe nëse ke avokat, sepse ai nuk lejohet që të të tregojë asgjë. Tani mësova për ata që punojnë për të drejtat e njeriut dhe ata që nuk janë dakord me administratën Bush. Mendoj se zëri i tyre bëhet përditë e më i fuqishëm.

Silvia Katori: Vëllai juaj, kur ju pa, tha se ju dukeni si plak. A ndiheni i tillë?

Sami El Haxhxh: Personalisht, është zemra ajo që ka rëndësi dhe jo fytyra apo trupi. Unë ndjej se zemra ime është e re si përherë dhe më e fortë se më parë.

Silvia Katori: Pra ishte një përvojë e dhembshme, por në fakt ju dolët nga ajo me përfitime të paparashikueshme?

Sami El Haxhxh: Keni të drejtë. Ka arritur të kem shumë përfitime nga koha që kam kaluar në Guantanamo. Përpara se të shkoja atje, kisha vetëm një familje të vogël. Tani kam një familje të madhe, sepse kam bërë shumë miq e shokë anekënd botës. Kjo është shumë pozitive: Mund të kem humbur gjashtë vjet e gjysmë, por tani kam më shumë miq.

Silvia Katori: A konsideroheni akoma si “luftëtar armik”?

Sami El Haxhxh: Nuk e di, por kur më liruan, më thanë: “Tani nuk je më rrezik për Amerikën”.

Silvia Katori: Pra emri juaj nuk është më në listën e “terroristëve”?

Sami El Haxhxh: Nuk e di. Mendoj se për ta, të gjithë ata njerëz, të cilët ata i kanë etiketuar si “terroristë”, do të mbeten të tillë. Ata na frikësohen, sepse na kanë bërë të vuajmë pa asnjë shkak.

Silvia Katori: A mendoni se agjentët e CIA-s do të vazhdojnë t’iu spiunojnë?

Sami El Haxhxh: Po. E vërteta është se unë nuk kam asgjë kundër atij vendit dhe popullit të tij. Nëse administrata Bush korrigjon gabimet e saj, nuk do të kem asgjë për t’u ankuar.

Silvia Katori: A u habitët që, kur po largoheshit, një oficer nga Pentagoni, i cili ju pa duke ecur mbështetur mbi shkop, ju akuzoi se po shtireshit?

Sami El Haxhxh: Zyrtarët e Pentagonit pretendojnë se të burgosurit e Guantanamos janë kriminelë, por në fakt 500 prej tyre janë kthyer në shtëpi. Si janë lejuar të largohen kur qenkan kriminelë? Ata vazhdojnë të gënjejnë.

Silvia Katori: Në të njëjtën kohë me ju, u liruan edhe dy sudanezë të tjerë: Emir Jakub Muhammed El Emin dhe Uelid Muhammed. Si janë ata?

Sami El Haxhxh: Qeveria sudaneze i ka trajtuar ata shumë mirë. Ata na përshëndetën personalisht të tre ne në aeroport. Pavarësisht se amerikanët ma kishin marrë pasaportën, m’u dha një e re brenda dy orësh dhe qeveria nuk më ka ndaluar të udhëtoj jashtë Sudanit.

Silvia Katori: Në Guantanamo, ushtarët të thirrnin në emër apo me numrin tuaj të burgimit “345”?

Sami El Haxhxh: Kurrë nuk më kanë thirrur në emër, por vetëm “345”, numrin tim të burgimit. Andej nga fundi, më thirrnin “El Xhezira”. Vetëm zyrtarët e Kryqit të Kuq më thirrnin me emrin tim.

Silvia Katori: A ju kanë vizituar shpesh këta zyrtarë?

Sami El Haxhxh: Atëherë kur autorizoheshin të na vizitonin, çdo 2-3 muaj. Kam biseduar me ta dhe më kanë sjellë letra nga familja.

Silvia Katori: Administrata Bush dhe oficerët që kishin detyrën t’iu torturonin, e dinin se ju ishit një njeri i mirë, një gazetar që thjesht po mundohej të paraqiste brutalitetin, me të cilin ata po trajtonin popullin e Afganistanit, jo një “terrorist”. A e dini pse ju trajtonin kaq keq?

Sami El Haxhxh: Shumica e ushtarëve atje zbatonin urdhërat e eprorëve të tyre. Ata i kryenin torturat pa ndërgjegje. Por që të jem i drejtë, duhet të them se disa prej tyre ishin njerëz të mirë. Disa ushtarëve ju punonte truri.

Silvia Katori: Agjentët e CIA-s shkruan një raport për torturën në Guantanamo. Kur të torturonin, a e ndjeje se ata të vëzhgonin duke kryer eksperimente mbi ty?

Sami El Haxhxh: Ata ishin nën mbikqyrjen konstante të psikologëve ushtarakë. Ata nuk kishin ardhur për të na kuruar, por për të marrë pjesë në marrjen në pyetje dhe për të vëzhguar të burgosurit e torturuar, në mënyrë që të mos i shpëtonte asnjë hollësi e sjelljes së tyre. Marrja në pyetje ishte përgjegjësi e kolonelit Morgan, një mjek specialist psikiatër. Ky kolonel ishte stacionuar në Guantanamo që nga marsi i vitit 2002. Ai kishte shërbyer në burgun afgan të Bagramit që prej tetorit të vitit 2001. Ai u jepte udhëzime oficerëve që na torturonin, studionte reagimet tona, duke shënuar çdo hollësi me qëllim që t’ia përshtaste teknikat e torturës çdo të burgosuri, gjë që kishte pasoja të thella psikologjike.
U kam folur dhe u kam treguar se misioni i mjekut ishte shumë i nderuar për t’u ndihmuar njerëzve dhe jo për t’i torturuar ato. Ata më përgjigjeshin: “Ne jemi personel ushtarak dhe ndjekim rregullat. Kur një oficer më jep një urdhër, është detyra ime ta zbatoj, përndryshe do të burgosem si ti. Kur nënshkrova kontratën me ushtrinë, e kam kuptuar që atëhere se duhet t’u bindem të gjitha urdhërave”.

Silvia Katori: Ndërmjet teknikave të torturave në Guantanamo, shoh ngjashmëri me ato të përdorura në Izrael mbi të burgosurit politikë palestinezë. Privimi nga gjumi, për shembull, është specialitet i tyre.

Sami El Haxhxh: Unë mendoj se shumica e shërbimeve të fshehta të botës kanë ardhur në Guantanamo. Kam parë anglezë dhe kanadezë. Vinin për të shqyrtuar teknikat e marrjes në pyetje dhe për t’i dhënë CIA-s dhe FBI-së këshilla si të torturonin dhe të merrnin në pyetje, duke u bazuar nga përvoja e tyre.

Silvia Katori: A jeni në gjendje të flini lehtë?

Sami El Haxhxh: Jo si përpara Guantanamos. Tani fle vetëm 3-4 orë në ditë. Sot, kur u takova me njerëzit e Kryqit të Kuq, u kërkova ndihmë që të kapërcej problemet e mia dhe të më rekomandonin një mjek që mund të më ndihmojë. Shtatë vjet nuk është periudhë e shkurtër kohore.

Silvia Katori: A nuk ishte greva e urisë një lloj vetëtorture? Përse e bëtë për një periudhë kaq të gjatë, duke ju dhënë një avantazh burgosësve të tu për të të shkaktuar edhe më shumë vuajtje dhe poshtërime?

Sami El Haxhxh: Sepse ne e ndjenim se nuk mund të qëndronim të heshtur, duhet të bënim diçka. Kjo ishte e vetmja rrugë që kishim që zërat tanë të dëgjoheshin. Natyrisht, të futesh në grevë urie është një mënyrë e dhembshme e të vepruarit dhe është e vështirë për t’u përballuar. Por kur të merret liria, duhet të luftosh për ta rifituar atë. Ishte rruga jonë e fundit për t’i treguar administratës Bush, se i burgosuri ka dinjitet, se ai nuk mund të jetojë vetëm me bukë dhe se liria është më e rëndësishme.

Silvia Katori: Si ishte kur të ushqenin me forcë?

Sami El Haxhxh: Kur kishte më shumë se 40 të burgosur në grevë urie, administrata e kampit përpiqej ta thyente rezistencën tonë duke na e shtuar dozën e torturës. Na mbyllnin në dhoma të ftohta të çveshur lakuriq dhe na ndalonin nga të fjeturit për periudha të gjata kohe. Dy herë në ditë, ushtarët na lidhnin në një karrige të posaçme, na vendosnin një maskë në fytyrë dhe na futnin një tub të gjatë në hundë deri në stomak. Racioni normal ishtë dy gota, por ata na injektonin 24 gota dhe 6 shishe ujë. Duke u tkurrur si pasojë e grevës së gjatë të urisë, stomaku nuk mund t’a mbante këtë sasi. Ata na shtonin produkte që shkaktonin diarre. I burgosuri i lidhur në atë karrige për më shumë se tre orë villte vazhdimisht. Ata na linin ashtu në të vjella dhe jashtëqitje. Kur seanca merrte fund, ata e shkulnin tubin me forcë dhe kur shihnin gjakun që shpërthente, qeshnin me ne. Për shkak se ata përdorin tuba të infektuar, të burgosurit vuajnë nga sëmundje të pakurueshme.

Silvia Katori: A mos ndoshta për shkak të kësaj greve të gjatë urije u liruat?

Sami El Haxhxh: Jo vetëm për shkak të saj, por ajo ishte një nga faktorët që e detyruan administratën të më lironte.

Silvia Katori: Si duhen konsideruar rrëfimet e Halid Shejh Muhammed, në të cilat ai pranon se ka organizuar më shumë se 30 sulme terroriste në 17 vende?

Sami El Haxhxh: Ka mundësi që e kanë torturuar aq shumë, sa që ai nuk ka qenë më vetvetja. Nuk e kam takuar kurrë, sepse e mbanin në një kamp të posaçëm. Një oficer më ka treguar se ai ishte i plagosur keqas. Jam i sigurtë se e imagjinoni: ai i është nënshtruar torturave të tmerrshme.

Silvia Katori: Kur Amerika thotë se ai është “terroristi numër 3 i El Kaides”, sa i ngjan kjo së vërtetës?

Sami El Haxhxh: Ndershmërisht, unë nuk besoj asgjë që del nga administrata Bush, sepse edhe vetë isha i akuzuar si “terrorist”. Unë e di më mirë se çdokush se si është e vërteta. Ata njerëz gënjejnë shumë. Nuk i kam besuar kurrë asnjë fjale të asaj qeverie. Njoh një të burgosur, i cili u torturua kaq shumë, sa në fund tha: “Unë jam Usama Bin Laden”. Ai tha atë që ata donin të dëgjonin, në mënyrë që torturat të përfundonin.

Silvia Katori: Pra, El Kaida është një krijesë e shërbimeve të fshehta perëndimore?

Sami El Haxhxh: Nuk kam takuar kurrë në jetë ndonjë që të më thotë: “Unë i përkas El Kaidës”. Në Guantanamo jam takuar me shumicën e të burgosurve, sepse politika e rojeve ishte të mos i lejonin të burgosurit të jetonin për një kohë të gjatë në të njëjtën qeli. Na transferonin çdo javë, kështu që njihnim njerëz të tjerë. Të gjithë njerëzit që kam njohur atje janë të gjithë njerëz paqësorë. Që kur jam larguar nga Guantanamo, kam folur në me më shumë se 100 prej tyre. Ata që kanë qenë të martuar kanë vazhduar përsëri jetën e tyre, ndërsa të tjerët janë martuar.

Silvia Katori: Vallë, ata që marrin forcë nga lutjet kanë më shumë shanse që të mos çmenden?

Sami El Haxhxh: Natyrisht! Nëse ndjen se dikush është atje me ty, veçanërisht Zoti, je i durueshëm dhe gjithmonë i vetëdijshëm se Zoti është më i fuqishëm se qeniet njerëzore. Duhet t’i falem Zotit dhe ta falenderoj Atë. Duhet të falenderoj edhe të gjithë ata që më mbështetën. Mendoj se edhe po ta kaloj të gjithë jetën duke thënë “Faleminderit!”, nuk do të jem në gjendje që t’i falenderoj të gjithë ata. Tani që po e përqëndroj punën time në të drejtat e njeriut, ndoshta do të mund të kontribuoj që jeta e njerëzve të tjerë të bëhet më e lumtur.

Silvia Katori: Më duket se media dhe organizatat jo-qeveritare në këtë vend nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur mbrojtjes së të drejtave të këtyre të burgosurve muslimanë. Për një kohë të gjatë, denoncimi i abuzimeve që bëheshin kundër tyre shihej si shenjë simpatie për “terroristët”. A e dini se udhëheqësit e “Reporterë pa kufinj”, për shembull, misioni i të cilëve është mbrojtja e gazetarëve, u kritikuan se ju desh pesë vjet për të folur për çështjen tuaj?

Sami El Haxhxh: Për fat të keq, njerëzit besojnë çdo gjë që ju thotë qeveria e Bushit. Tani që ata e dinë se kjo nuk ishte e vërtetë, do të ndreqin gabimet. E kam thënë gjithmonë: Nëse dikush bën një gabim, nuk është problem. Problem është vetëm nëse gabimi vazhdon.
Nëse gazetarët nuk shqetësohen kur gazetarë të tjerë burgosen duke kryer detyrën e tyre, do të vijë dita kur vetë këta gazetarë do të gjenden në burg dhe nuk do të ketë askush që do t’i mbrojë. Ne duhet të punojmë së bashku, duke mbështetur çështjet e njëri-tjetrit. Nëse zbulojmë që një gazetar është burgosur, është detyra jonë ta mbështesim, cilado qoftë ngjyra dhe feja e tyre. Si gazetar, dua t’i përkushtohem mbështetjes së gazetarëve që punojnë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive. Por ka shumë punë për të bërë. Nuk duhet të ndalemi para asgjëje për të arritur lirimin e atyre që janë mbyllur në Guantanamo dhe në burgjet e tjera të panumërta, ku qeveria e Bushit po privon dhjetëra mijëra të tjerë nga të drejtat e tyre.
Përvoja në Guantanamo na ka influencuar thellë. Ajo që dua të theksoj është nevoja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rëndësia e tyre. Pas gjithë atij dëmi që është bërë, mendoj se tani çdo njeri ndihet më i interesuar. Nuk është e ndershme që t’i braktisësh ata që vuajnë. Eshtë përgjegjësi urgjente e jona që të tregojmë solidaritet me ta.
El Xhezira shpreson të punojë së bashku me median e lirë për të mbledhur informacion në lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut. U bëj thirrje të gjithë gazetarëve që të bashkëpunojnë me ne. Janë më shumë se 50 kombësi në Guantanamo, është çështje botërore dhe jo e disa individëve.
Eshtë e turpshme që në shoqërinë tonë, njerëz të pafajshëm që janë shitur nga të tjerë, gjenden të mbyllur në kafazë dhe se kjo shkelje e të drejtave themelore bëhet nga një vend që pretendon se është garantuesi i të drejtave dhe lirive.
Unë nuk ndjej urrejtje. Ne i respektojmë qytetarët e SHBA-së. Eshtë qeveria e tyre aktuale, e cila duhet të marrë përgjegjësinë për pasojat e këtyre veprimeve. Të drejtat e njeriut dhe siguria janë të pandara, nuk mund të ketë siguri pa respektimin e të drejtave themelore.

Silvia Katori: Ju keni të drejtë kur u bëni thirrje njerëzve dhe gazetarëve të ndershëm të mos pranojnë shkeljen e ligjeve ndërkombëtare dhe trajtimin mizor dhe çnjerëzor të qenieve njerëzore. Por kjo politikë nuk do të kishte zgjatur po të mos ishte mbështetja e heshtur e qeverive të superfuqive; ishte pëlqimi i tyre që të etiketuarit si “luftëtarë armiq” të torturoheshin. Për shembull “Patriot Act”, i miratuar pas 11 shtatorit në SHBA, u mbështet nga të gjithë vendet evropiane. Pikërisht në kuadër të këtyre marrëveshjeve të fshehta, agjentët e CIA-s dhe FBI-së rrëmbyen dhe torturuan mijëra të pafajshëm si ju në Evropë.

Sami El Haxhxh: Dua të të them një gjë: Unë nuk besoj në veprimet e qeverive, sepse çdo qeveri, në çdo vend, preferon të qeverisë pa u përballur me problemet e vërteta të popullit. Ndonjë herë, ajo mund të flasë në mbështetje të një çështjeje, por në të vërtetë nuk e mbështet atë. Ndodh thjesht për qëllime politike oportuniste, që mund të deklarojnë se mbështesin diçka, në të cilën nuk besojnë. Harroji qeveritë, sepse ato kanë axhendat e tyre. Ne duhet të punojmë shumë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e çdokujt.

Silvia Katori: A është e drejtë të përfundojmë se “terroristët”, ashtu siç na i paraqet administrata Bush dhe media, nuk ekzistojnë?

Sami El Haxhxh: Mund t’iu siguroj se të burgosurit e Guantanamos që kam takuar nuk janë “terroristë”. Kam pasur rast të bisedoj dhe të njihem me ta: ata janë paqësorë.

Silvia Katori: Pra ju jeni arrestuar, sepse duhej që të provohej përpara vendeve evropiane se “terroristët” muslimanë ekzistojnë?

Sami El Haxhxh: Ne u arrestuam pas sulmeve të 11 shtatorit, për të cilët askush nuk ka qenë në gjendje të gjejë përgjegjësit e tyre. Presidenti Bush nuk donte të thonte: “Kam bërë gabime, nuk isha në gjendje të ruaj sigurinë kombëtare”. Ai tha: “Do të fillojmë një luftë kundër terrorit”. Përfundimi është se ai nuk i solli siguri askujt.
Ai bombardoi Afganistanin, dërgoi ushtarë në luftë kundër kombeve të tëra, por nuk arrestoi personat për të cilat deklaroi se do t’i arrestonte. Ai i pagoi pakistanezët për të arrestuar njerëz dhe për t’ua dorëzuar administratës së tij. 89% e të burgosurve në Guantanamo u blenë me valutë nga autoritetet pakistaneze. Ku i gjetën ata? Në Pakistan, jo në Afganistan.

Silvia Katori: Pra të burgosurit u torturuan duke ju premtuar se çdo gjë do të mbaronte, nëse pranonin të bëheshin spiunë të CIA-s? Çfarë sistemi i tmerrshëm?

Sami El Haxhxh: Po. Të presim largimin nga pushteti të presidentit Bush. Kur të ketë lënë postin, jam i sigurtë se shumë njerëz do të kenë diçka për të thënë në lidhje me paudhësitë e tij.

Silvia Katori: Dëshmia juaj është shumë e rëndësishme. Rinia juaj është shkatërruar, por megjithatë keni madhështinë ta shndërroni këtë katastrofë në diçka konstruktive. Refuzoni ta shihni vetveten si një viktimë. Me të vërtetë e mahnitshme! Shumë të burgosur duhet të shpresojnë për ndihmë nga njerëz si ju.

Sami El Haxhxh: Duhet të punojmë shumë, që të gjithë ata që vazhdojnë ta mbështesin administratën Bush, të ndihen të turpëruar nga veprimet e tyre. Atëherë, askush nuk do t’i ndihmojë ata dhe ata do të ndalojnë.
I gjithë episodi i Guantanamos është një njollë e madhe e zezë. Administrata Bush u mundua ta mashtrojë publikun duke thënë se ne ishim terroristë. Por shumica dërrmuese e atyre njerëzve që u burgosën ishin të pafajshëm si unë.

Silvia Katori: Faleminderit që na dhatë këtë intervistë.


Marrë nga www.voltairenet.org

Përgatiti: Genc Çurgu

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"