EL KARDAVIJ I PERGJIGJET EBUL-MEXHDIT



EL KARDAVIJ I PERGJIGJET EBUL-MEXHDIT

Dr. Jusuf El-Kardavij, kryetari i Bashkimit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, i drejtoi një letër të hapur e të gjatë Dr. Ahmed Kemal Ebul-Mexhdit, në të cilën i kundërvihet kritikave të drejtuara kundër tij nga ky i fundit, në kuadër të paralajmërimit të shejhut kundër shtrirjes shiite në shtetet arabe sunnite. Në këtë letër, El Kardavij shpreh habinë për vazhdimin e kritikave nga ana e shkrimtarëve dhe dijetarëve sunnitë ndaj deklaratës dhe deklarimeve të tij të fundit, në të cilat ai paralajmëron kundër depërtimit shiit në mesin e muslimanëve sunnitë, në një kohë kur është ndërprerë sulmi i shkrimtarëve dhe gazetarëve shiitë kundër tij.
Dr. Ebul-Mexhdi i drejtoi një sërë kritikash shejh El Kardavit në një artikull të botuar në gazetën egjiptiane “Ed-Dustur” më datë 30 shtator 2008. Teksti i letrës është si më poshtë:

Bismil-lahir-rahmanir-rahim

I nderuar Prof. Dr. Ahmed Kemal Ebul-Mexhd!

Ve alejkumusselam ve rahmetullahi ve berekatuh!

E lexova letrën tënde të botuar në gazetën egjiptiane “Ed-Dustur” dhe e shqyrtova me shumë imtësi. U habita që kishte dalë nga një person si ti, politikan me përvojë, jurist i shkëlqyer, islamist i njohur dhe pinjoll i familjeve të shquara fetare, si nga ana e babait, ashtu dhe nga ana e dajave. Ajo që më befasoi më shumë në letër ishte fakti se ti më drejtohesh sikur nuk më njeh mua, drejtimin tim, qëndrimet e mia, historinë e mendimit dhe thirrjes sime, ndërkohë që jemi takuar shpesh në shumë veprimtari, në Egjipt, Katar, Algjeri, Bahrejn, Jordani, Romë etj. Asnjëherë nuk kam qenë nxitës dhe provokues i fitneve dhe përçarjes, por kam bërë thirrje për afrim ndërmjet sekteve islame. Kur bëra përpjekje për themelimin e Bashkimit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, ftova në të përfaqësues të çdo sekti dhe medh-hebi islam të ndjekur dhe të njohur në Ummet, të cilët nuk janë shkëputur krejtësisht nga ai dhe nuk kanë hequr dorë nga Islami dhe besimet e tij themelore.
Ftova vëllezër përfaqësues nga secili sekt dhe medh-heb islam: nga zejditë, imamijtë dymbëdhjetë imamësh, ibadijtë. Ndërmjet atyre që ftova ishte edhe ajetullah Muhammed Ali Tas-hirij, të cilin e njoh prej shumë vitesh. I drejtova ftesën, e propozova për në këshillin administrativ, pastaj zyrën ekzekutive dhe më pas, si zëvendësin tim. Propozova që të zgjidhej, në kuadër të kujdesit tim për afrim dhe bashkim, si kurorëzim i përpjekjeve të mia në këtë fushë gjatë pjesëmarrjes në konferencat e afrimit të mbajtura në Rabat, Damask, Bahrejn dhe Doha.
Por thirrja ime për afrim nuk ishte absolute, por e kushtëzuar. Që në konferencën e Marokut vura në dukje dhe përmenda pengesat që qëndrojnë në rrugën drejt afrimit, pa zhdukjen e të cilave, afrimi thjesht do të mbesë disa konferenca, ku merren disa vendime dhe rekomandime, që nuk janë veçse bojë mbi letra.
Këto pengesa, për të cilat paralajmërova në të gjithë konferencat, janë:
1. Qëndrimi ndaj Kur’anit Fisnik, i cili është fjala e shkruar e Allahut (xh.sh.) në mus-haf dhe i cili nuk pranon as shtesa dhe as mungesa.
2. Qëndrimi ndaj sahabeve dhe nënave të besimtarëve, të cilët na përcollën Kur’anin dhe ruajtën për ne Sunnetin. Ata janë nxënësit e shkollës muhammedije, janë ata që realizuan çlirimet islame dhe i futën popujt në Islam, ndaj nuk është çudi që janë lavdëruar nga Kur’ani dhe Profeti (s.a.v.s.), duke e konsideruar brezin e tyre si brezin më të mirë pas brezit të tij. Fletët e heroizmave dhe qëndrimeve të tyre morale janë shkruar me ar në faqet e historisë. Atëherë për llogari të kujt e shtrembërojmë historinë e atyre heronjve? Përse disa nga ne duan ta paraqesin historinë e brezit më të mirë të Ummetit si histori të errësirave njëra sipër tjetrës.
3. Ndalimi i përhapjes së njërit medh-heb të besimit në vendet që i përkasin krejtësisht medh-hebit tjetër. Ndoshta mund të fitosh dhjetë, njëzet, njëqind apo njëmijë, por sapo shoqëria të zbulojë se ti po përpiqesh të ndryshosh besimet e saj, do të tërheqësh mbi vete mallkimin e tyre dhe të gjithë ata do të të ngrihen kundër teje me miliona. Rreziku qëndron nëse ky zbulim vonohet.
4. Pranimi i të drejtave fetare dhe politike të pakicave, sunnite apo shiite qoftë ajo.
Këtë gjë i thashë vëllezërve në Iran, kur i vizitova para dhjetë vjetëve, gjatë mandatit të dytë presidencial të Muhammed Hatemit, që është mikpritës dhe me mendje të hapur dhe i cili, ma priti përshëndetjen time me po të njëjtën, kur erdhi në Doha para dy vjetësh për të marrë pjesë në një konferencë dhe nguli këmbë të më vizitonte në shtëpinë time. Këtë gjë u thashë edhe shejhëve dhe ajetullahëve që takova në Teheran, Kum, Mesh-hed dhe Isfahan, qytete të cilat i vizitova gjatë vizitës sime.

Eshtë detyrë e paralajmëruesit që të thërrasë:

Për sa i përket dëshirës tënde që shpallja e qëndrimit tim të ndodhte midis meje dhe vëllezërve të mi dijetarë shiitë në një kuadër të kufizuar, në vend të shpalljes për të gjithë njerëzit nëpër gazeta, them: Kjo gjë, o doktor, ka ndodhur para më shumë se dhjetë vjetëve, më pas në konferencat e afrimit, gjatë vizitës sime në Iran në vitin 1988 me dijetarët e Teheranit, Kumit, Mesh-hedit dhe Isfahanit, si dhe asaj që kam shkruar, i fundit nga të cilët është: “Parime në dialogun dhe afrimin ndërmjet medh-hebeve (sekteve islame)”, por vura re se plani vazhdonte dhe se ata njerëz ishin të vendosur të arrinin qëllimin, për të cilin kishin bërë planet, kishin derdhur paratë, kishin përgatitur njerëzit dhe kishin ngritur institucionet. Për këtë gjë, duhej patjetër t’i bija këmbanës së rrezikut dhe këmbanat e rrezikut, o doktor, nuk e kryejnë punën e tyre, nëse nuk janë me zë të lartë, nuk zgjojnë të përgjumurin, nuk ndërgjegjësojnë indiferentin dhe nuk dëgjohen afër dhe larg. A i ke parasysh sirenat e zjarrfikësve, se çfarë zhurme të madhe bëjnë! Ndoshta mund t’i bezdisin disa tipa të ndjeshëm, por kjo është natyra e tyre.
Unë desha ta paralajmëroj popullin tim, duke thërritur dhe ndërgjegjësuar për zjarrin shkatërrues që e pret, në qoftë se nuk zgjohet nga dremitja dhe indiferenca që e ka kapluar, për t’u prerë rrugën lakmitarëve të joshur që përhapin të keqen pa ju frikësuar rrezikut që vjen.
Unë jam paralajmërues për popullin tim dhe paralajmëruesi nuk qëndron në një dhomë të mbyllur dhe thërret. Le ta dijnë nga afër ata që më kundërshtojnë nga populli im, se unë kam të drejtë dhe ata gabojnë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Atyre u patën ardhur aso lajmesh (të popujve të lashtë), ku ka mjaft qortime, (për ata që kuptojnë). Urtësi e përsosur (është Kur’ani)! Po sa bëjnë dobi qortimet! “ (El Kamer:4-5)
Ajo, për të cilën po paralajmëroj dhe thërras për vigjilencë, o doktor, është tepër e qartë, tamam si dielli në mëngjes, kur nuk e pengon asnjë re apo tym. Edhe vetë shiitët e pranojnë agresionin shiit kundër shoqërive sunnite, apo mos duam të jemi më ruajalistë se mbreti? Këtë gjë e ka pohuar vetë ish-presidenti Rafsanxhani, i cili konsiderohet si njeriu i dytë në rregjimin iranian në takimin tim me të në ekranin e El Xheziras me datë 21 shkurt 2007. Ai nuk pranoi të thotë asnjë fjalë për ndalimin e kësaj veprimtarie të fshehtë shiite dhe tha: Një njeri bart mirësi, e si mund ta ndalosh ta përcjellë atë? Ndërsa agjencia e lajmeve iraniane MEHR e konsideroi përhapjen e medh-hebit shiit tek Ehli Sunneti si “mrekulli të Ehli Bejtit”! Ajetullah Tas-hirij nuk e mohoi këtë, por ju kundërvu emërtimit tim si “prozelitizëm” të kësaj gjëje, term që përdoret për përhapjen e krishtërimit. Duket se ai do të thotë me emërtimin e tij “përcjellje” se shiiti është i urdhëruar që të përhapë medh-hebin dhe besimet e tij, ashtu si është urdhëruar Profeti (s.a.v.s.) të përcjellë atë ju zbrit nga Zoti i tij. Fjalën “prozelitizëm” që përdora në deklaratën time, e kam marrë nga shprehjet e imamit Muhammed Mehdi Shemsuddin. Ndërsa ajetullah Muhammed Husejn Fadlullah më kundërshtoi se nuk po zemërohesha për përhapjen e prozelitizmit të krishterë, ashtu si po zemërohesha për përhapjen e prozelitizmit shiit, akuzë së cilës ju përgjigja në deklaratën time.
Por realiteti faktik është dëshmitari më i vërtetë për ato që them. Shohim në shoqëri të pastra sunnite, ku për njëzet vjet nuk ka pasur asnjë edhe një shiit dhe asnjë problem që mund të çojë në konflikte sektare, të na dalin ca shiitë që lëvizin, aktivizohen, flasin dhe ju dëgjohet zëri. Ata lakmojnë dhe mundohen që të shtohen, zgjerohen dhe rriten në numër. Kush dyshon në fjalët e mia, le t’i hedhë një shikim Egjiptit, Sudanit, Algjerisë, Marokut, Tunizisë etj, pastaj vendeve islame të Azisë dhe Afrikës, për të mos folur për pakicat islame në të gjitha vendet e botës. Shikoni pak në tokën e Israsë dhe Mi’raxhit, Palestinën, në të cilën shiitët e Iranit u munduan të depërtojnë dhe të joshin disa individë, siç më kanë thënë kryetarët e disa grupimeve palestineze. Ky është krim i pafalshëm, duke parë se palestinezët kanë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje të mëtejshme.

Kur është koha e përshtatshme?

Sa për thënien se paralajmërimi im është jo në kohën e duhur, kjo është e pakuptimtë. E kur na qenka koha atëherë? Unë besoj se kjo është koha për ta bërë këtë deklaratë të domosdoshme, bile ndoshta është vonuar pak. Eshtë rregull konsensual tek dijetarët e Usulit që: Vonimi i deklaratës nga koha e nevojës nuk lejohet.

Ku qëndron rreziku i përhapjes së shiizmit në botën sunnite?

Mund të pyesë dikush: Ku qëndron rreziku atëherë? Rrezikun e kësaj gjëje e shohim vetë me sy dhe e prekim me dorë në vendet e konflikteve sektare, viktimat e të cilave janë më mijëra dhe dhjetëra mijëra, siç e shohin ata që i kanë sytë në ballë në Irak. Skuadrone të vdekjes, djegie të xhamive dhe mus-hafëve, vrasje të bazuara mbi përkatësinë fetare, vrasje të gjithë atyre që e kanë emrin Ymer, Osman apo Aishe e shumë e shumë krime të tjera, nga të cilat të rrënqehet mishi. Shikoni se ç’ndodhi në Liban, kur Hizbullahu invadoi kohët e fundit Bejrutin, gjë që u shoqërua me krime të pabesueshme. Bile mjafton vetëm të shihni çfarë ndodhi në Jemen. Përleshje të përgjakshme ndërmjet qeverisë dhe huthijjunëve, të cilët ishin zejdij paqësorë dhe në marrëdhënie të shkëlqyera me vëllezërit e tyre shafiij, por me t’u kthyer në shiitë dymbëdhjetë imamësh, bënë prapa-kthehu, filluan të luftojnë dhe të vrasin vëllezërit e tyre. Ky është shembulli më i spikatur, i cili personifikon më së miri rrezikun, të cilit i druhemi dhe për të cilin, paralajmërojmë që të mos ndodhë.
Rreziku nga përhapja e shiizmit qëndron tek fakti se pas tij fshihet një shtet, i cili ka objektiva strategjike. Ai shfrytëzon fenë dhe medh-hebin për realizimin e qëllimeve të tij ekspansioniste dhe shtrirjen e zonës së tij të influencës, duke i shndërruar pakicat e themeluara prej kohësh në instrumenta dhe baza efikase iraniane për tensionimin e marrëdhënieve ndërmjet arabëve dhe Iranit, duke i shërbyer strategjisë ekspansioniste nacionaliste iraniane.

Mbyllja e dosjes

Gjëja më e çuditshme që lexova në letrën e mikut tonë Dr. Kemal Ebul-Mexhd është: “Unë ju ftoj dhe ju lutem të nxitoni dhe pa pritur thirrjen e dikujt tjetër, ta mbyllni pa u vonuar këtë dosje, sikur nuk u hap fare!!!
Atëherë përse u hap? A u hap pa dijeni? Apo me dijeni dhe largpamësi? A u hap për një gjë, për të cilën meriton të hapet, apo u hap ashtu kot, për qejf, lojë apo rastësisht?
Unë e hapa këtë dosje, sepse ndjeva rrezikun që kërcënon Ummetin tim, rrezik që konsiston në përçarje dhe konflikte të mëtejshme në shoqërinë e bashkuar. Fillova të paralajmëroj popullin tim për këtë rrezik, duke ju lutur të ndërgjegjësohen dhe të kenë mendjen përpara rreziqeve dhe komploteve që thuren kundër tyre.
I pari i shtëpisë nuk e gënjen familjen e tij dhe besniku nuk e tradhton kombin e tij. Ai që beson në Allahun (xh.sh.) dhe Ditën e Gjykimit, nuk mund të heshtë dhe të mbyllë sytë përpara shiizimit të shoqërisë sunnite.
Ndoshta ti, o doktor, më do që ta tradhtoj fenë time, mesazhin tim, ta mashtroj popullin tim, Ummetin tim, ta thyej besën që Allahu u mori dijetarëve të fesë, se do t’ua shpjegonin njerëzve të vërtetën dhe nuk do ta fshihnin atë. Ndoshta më do të jem shejtan shurdh, që hesht, ndërsa sheh vendet e sunnitëve të rrudhen përpara agresionit shiit, sepse heshtja është flori!
Thirrja për mbylljen e dosjes është ikje nga përballja me realitetin. Detyrë e jona në këtë gjendje është përballja dhe luftimi i tij, por me urtësi dhe moderim. Ndonëse Dr. Ebul-Mexhdi ka një libër: “Dialog dhe jo përballje”, në disa situata konsideroj se duhet patjetër të përballemi dhe të jemi të vendosur ti japim fund kësaj. Sipas vendit bëhet kuvendi.

A duhet ta ndalojmë përhapjen e medh-hebit?

Dikush mund të pyesë: A duhet ta ndalojmë përhapjen e medh-hebeve të besimit? Them: Nëse kjo gjë ndodh me marrëveshje ndërmjet të dy medh-hebeve, sunnitë dhe shiitë, atëherë nuk ka problem. Nëse dijetarët e të dy medh-hebeve mendojnë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, sepse përhapja e një medh-hebi në vendet e medh-hebit tjetër shkakton alergji, fitne dhe gadishmëri për rezistencë, gjë që bie ndesh me idenë e afrimit, për të cilën dijetarët e urtë të dy medh-hebeve ranë dakord në një sërë takimesh dhe konferencash, duke u zotuar për këtë, atëherë kjo gjë duhet respektuar dhe zbatuar. “...E kush e thyen (zotimin), ai e thyen vetëm në dëm të tij...” (El Fet-h:10)
Nëse kësaj gjëje i jepet liri, duhet që të dy palët ta shpallin atë dhe kjo të ndodhë në dritë të diellit, pa infiltrime dhe veprimtari në fshehtësi dhe arma e të gjithëve të jetë faktet dhe argumentat, jo paratë dhe joshjet e ndryshme. Secila palë duhet të ketë të drejtën e kundërpërgjigjes me dije të palës tjetër, dhe ta armatosë xhemaatin e saj me kulturën mbrojtëse ndaj agresionit, veçanërisht kur ky i fundit është i organizuar, kryhet nga individë të stërvitur dhe mbështetet nga një shtet i madh e i pasur që ka një mesazh.
Gjëja e parë që bën thirrësi në një medh-heb të besimit është të sulmojë medh-hebin tjetër, duke argumentuar se ai është i humbur e i pavlerë dhe e çon të zotin e tij në zjarrin e xhehennemit, nga i cili e shpëton vetëm përqafimi i besimeve të medh-hebit tjetër. Në këtë pikë, i sulmuari e ndjen veten të detyruar të mbrohet dhe mbrojtja më e mirë është sulmi. E sulmon medh-hebin e sulmuesit, duke argumentuar pavlefshmërinë e besimeve të tij një për një. Për shembull sunniti i thotë shiitit: Pretendimi juaj për gjoja testamentin e të Dërguarit (s.a.v.s.), që Aliu dhe pasardhësit e tij të jenë mëkëmbësit (hulefatë) e tij, nuk ka asnjë bazë në Kur’an dhe Sunnetin e saktë, dhe bie ndesh me parimin e Shuras (këshillimit): “...dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta...” dhe fjalën e Allahut (xh.sh.) që i tha Ibrahimit: ““Unë po të bëj ty prijës (imam) të njerëzimit!” Ai tha: “(bën o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi!” (Zoti) Tha: “Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët!” (Bekare:124).
Akuzimi i sahabeve se kanë fshehur testamentin e të Dërguarit (s.a.v.s.) dhe e kanë tradhtuar atë, duke i rrëmbyer të drejtën Aliut, bie ndesh me lavdërimin që Allahu (xh.sh.) u bën atyre në Kur’an në më shumë se një sure, lavdërimin e të Dërguarit (s.a.v.s.) dhe historisë, si dhe bie ndesh me qëndrimin e Aliut, i cili qe këshillues dhe ndihmues i tyre. Ai nuk pretendoi asnjëherë se kishte testament nga i Dërguari (s.a.v.s.). Nëse një gjë e tillë do të kishte qenë e vërtetë, Hasani, i biri i Aliut, nuk do të ishte tërhequr nga Hilafeti, për të cilin kishte marrë benë, duke ja lënë atë Muavijes, me qëllim që të mos derdhej gjaku i muslimanëve, qëndrim për të cilin është lavdëruar nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.).
Pretendimi se Aliu (r.a.) dhe njëmbëdhjetë nga pasardhësit e tij janë imamë të mbrojtur dhe të pagabueshëm nuk ka asnjë argument në Kur’an dhe Sunnet. Në një sërë ajetesh të Librit të Tij, Allahu (xh.sh.) na ka urdhëruar që t’i bindemi Allahut dhe të Dërguarit të Tij, por nuk na ka urdhëruar për bindje ndaj imamëve, e shumë gjëra që mund të citojmë këtu si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve dhe dyshimeve.
Sunniti mund të deklarojë plot me krenari se medh-hebi i tij është ai që u përgjigjet aspiratave bashkëkohore të njerëzimit për liri dhe barazi, pa diskriminim në favor të një familjeje, e cila paska të drejtë t’i qeverisë, edhe pa e zgjedhur ata. Ata nuk kanë testament detyrues qiellor dhe askush nuk është i pagabueshëm dhe i pakundërshtueshëm.

Nuk jam shmangur nga rruga e mesme

Mbetet t’i përgjigjem këtu një pyetjeje të rëndësishme që ma drejtuan disa vëllezër, duke më thënë: Ti ke qenë gjithmonë nga thirrësit e rrugës së mesme dhe moderimit, aq sa je bërë i njohur për këtë drejtim. Për ty shumë hulumtues dhe mendimtarë kanë thënë se je pionieri i rrugës së mesme, gjë të cilën e besojmë, duke lexuar trashëgiminë dhe qëndrimet e tua. Por në këtë çështje, ti priresh deri diku drejt rreptësisë dhe përballjes. Si na e shpjegon këtë?
Dua të sqaroj këtu, se unë nuk kam devijuar asnjë fije floku nga drejtimi i rrugës së mesme, por disa vëllezër e kanë kuptuar rrugën e mesme ndryshe nga ç’e kuptoj unë. Ata kujtojnë se ajo është prirje për lehtësim në çdo gjë, gjë e cila nuk është e saktë. Rruga e mesme për mua është të jem i rreptë aty ku duhet të jem i rreptë dhe të jem i butë aty ku duhet të jem i butë, të ndaloj aty ku duhet ndaluar dhe të lejoj aty ku duhet lejuar. Për këtë arsye, u rradhita në çështjen e interesave bankare me të rreptët dhe nuk isha me ata që duan ta bëjnë atë hallall për një shkak apo tjetër, ndaj shkrova librin “Interesat bankare janë ribaja (kamata) e ndaluar”. Në shumë çështje, jam i rreptë për shkak të ndjekjes së argumenteve, ndonëse lehtësimi mbizotëron tek unë.
Në çështjet që lidhen me akiden, qëndroj si mali i palëkundur, ndaj ndodhi edhe problemi im me shiitët dhe shiizmin. Kjo është rruga e mesme e vërtetë.

Mesazh drejtuar të magjepsurve nga Irani

Në fund do të doja nga Dr. Ebul-Mexhdi, që t’ia drejtonte letrën e tij ose të paktën një si ajo, gjithë atyre që magjepsen nga Irani dhe Hizbullahu nga populli ynë, bile edhe nga miqtë e tij dhe të mitë, të cilët më dhemb t’i shoh në një pozitë jolegjitime dhe të cilëve nuk ju bëri zemra të thonë një fjalë kritike kundër atyre që ndezën armiqësinë dhe shpifën kundër meje, duke më lënë kështu në baltë, kur e kishin për detyrë të më ndihmonin.
Do të doja që Ebul-Mexhdi t’i këshillonte sinqerisht të heqin mbulesën nga sytë dhe të shikojnë, të heqin gishtat nga veshët dhe të dëgjojnë. Po, po, të shikojnë dhe të dëgjojnë se çfarë po ndodh në vendet e Ehli Sunnetit dhe të mos e quajnë këtë gjë se ja vlen t’i bëhet bisht, sepse fikhu i drejtpeshimit dhe ai i përparësive, të cilin thonë se e kanë marrë nga unë, i detyron ta drejtojnë shikimin në zbatimin e këtij fikhu në realitet. Eshtë e rëndësishme të dihet se fatkeqësia, e cila nuk mund të ndreqet dhe kurohet pasi të ketë ndodhur, ka përparësi ndaj asaj që mund të ndreqet. Ndaj ndryshimi i besimit të njeriut nga një grupim tek tjetri, si kalimi i muslimani nga sunnit në shiit, nëse ndodh, nuk mund të ndreqet.
Në shekullin e tetëmbëdhjetë, Iraku ishte me shumicë dërrmuese sunnite, pastaj filloi marshimi i planifikuar, duke shfrytëzuar indiferencën e shtetit osman, bile edhe vetë Irani, ka qenë sunnit, siç e dëshmon historia e dijetarëve të tij në fushat e tefsirit, hadithit, fikhut, usulit, gjuhës, letërsisë, historisë etj. Pastaj i ndodhi ajo që i ndodhi dhe u bë shteti më i madh shiit në botë.
Gjëja më e çuditshme që thanë ata miq ishte se paralajmërimi ynë nga agresioni shiit kundër shoqërive sunnite, gjoja qenka përkrahje për fodullëkun amerikan apo kolonializmin sionist. Ne e kundërshtojmë agresionin shiit dhe i dalim përballë tiranisë amerikane dhe agresionit sionist. Përkrahim me të gjitha forcat rezistencën kundër sionistëve dhe amerikanëve në Palestinë, Liban, Irak dhe Afganistan.
Pretendimi i tyre se qëndrimi im paralajmërues kundër agresionit shiit bie ndesh me thirrjen për unitet islam nuk qëndron, sepse uniteti islam, nëse nuk bazohet mbi bazat e forta të Librit të Allahut dhe Sunnetit të Dërguarit të Tij, nuk do të ekzistojë ndonjëherë, ndaj Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kapuni të gjithë pas litarit të Allahut dhe mos u përçani”. (Ali Imran:103) Nëse uniteti nuk kapet fort pas litarit të Allahut, nuk ka asnjë të mirë në të. Islami na mëson se përçarja mbi të drejtën është më e mirë se bashkimi mbi të shtrembrën. Allahu e mëshiroftë Ibn Mes’udin (r.a.), i cili ka thënë: Xhemaati konsiderohet kur është në përputhje me të vërtetën, edhe nëse je i vetëm. Allahu (xh.sh.) thotë: “Dhe bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni në gjynah dhe armiqësi” (Maide:2). Bashkimi i bazuar mbi gjynahun dhe armiqësinë është i ndaluar dhe s’ka asnjë të mirë.
Dëshironim që miqtë tanë të thonin qoftë edhe një fjalë të vetme kundër atyre, ndaj të cilëve ankohemi, që t’i largojnë menjëherë duart e tyre nga shoqëritë sunnite dhe t’i përkushtohemi të gjithë sionistëve dhe amerikanëve, por nuk e thanë.
A mos duan që ne të flejmë, në mënyrë që agresioni ta kryejë detyrën e tij mu në mes të shtëpisë sonë, duke ndryshuar besimet e shoqërive tona, ndërsa ne të qëndrojmë indiferentë. Ndërsa po ta ngrejmë zërin kundër kësaj gjëje, duke paralajmëruar dhe zgjuar nga gjumi, atëherë qenkemi nxitës të përçarjeve ndërmjet muslimanëve!!!
Në fund dua të cek këtu një pikë të rëndësishme. Eshtë për t’u çuditur që agjencia iraniane e lajmeve hesht dhe ajetullahët e shiitëve janë fshehur pas, duke i lënë sunnitët t’i kundërvihen njëri-tjetrit, ndërsa ata vetë bëjnë qejf. Me të vërtetë gjë befasuese. A nuk u gjendka në shoqërinë shiite, në Iran, Irak, Liban apo vendet e Gjirit, të paktën një shkrimtar i vetëm që të mbrojë qëndrimin tim, domethënë, atë të sunnitëve?!!! Në të njëjtën kohë, disa sunnitë aty-këtu, e veçanërisht në Egjipt, vendin e El-Ez-herit, i kanë hipur kalit dhe kanë ngjeshur shpatën, duke u hedhur në mbrojtje të shiitëve që po ju bëka padrejtësi!
O Allah! Dëshmo se ne duam vetëm mirësi dhe paqe për Ummetin e Islamit dhe na mjafton ti si dëshmitar!

Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!

Vellai juaj

Jusuf El Kardavij


P
ërktheu: Genc Çurgu

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"