PËRVJETORI I 500-të I DEBIMIT TË MUSLIMANËVE NGA ANDALUZIA

PËRVJETORI I 500-të I DEBIMIT TË MUSLIMANËVE NGA ANDALUZIA


Nga:

Idris El-Kenburi

Ata që kujtojnë se historia nuk përsëritet, duke qenë se ka kaluar, gabojnë dy herë: një herë ndaj popujve të tyre dhe një herë ndaj historisë, e cila nuk e njeh llogjikën e cikleve të ndara. Ajo është si lumi i rrëmbyer në histori, me hallka të pashkëputura, i cili nuk vjen vetë, por ka një forcë që e shtyn atë përpara. Kjo forcë është llogjika e historisë.

Unë besoj se pjesa më e madhe e humbjeve tona, në mos të gjitha ato, kanë ardhur si pasojë e moskuptimit të kësaj llogjike historike të rreptë dhe të pamëshirshme si dhe mospërfilljes së vetëdijes historike, pa të cilën asnjë komb nuk mund të zotërojë të tashmen dhe nuk mund të krijojë të ardhmen.

Kur'ani Fisnik na paraqet përfundimin e popujve të mëparshëm, jo vetëm me qëllimin e rrëfimit, por që të zotërojmë ndjenjën e vetëdijes historike dhe civilizuese, duke parë mirë të kaluarën për të ecur të sigurt drejt së ardhmes.

Vazhdojmë që të mos e çajmë kokën për historinë. E kemi hedhur pas shpine, duke kujtuar se e ardhmja ka një rrugë të ndryshme dhe duke harruar se ne e tërheqim nga pas këtë histori, me dështimet dhe disfatat e saj, duam apo nuk duam, prandaj është e natyrshme që sot të bëhemi pre e llojeve më të ndryshme të padrejtësive, pushtimeve, prapambetjes dhe copëzimit, pa pasur asnjë organizues të sjelljes sonë apo llogjikë të shëndoshë të politikës sonë. Çifutët e studiuan historinë tonë dhe mësuan se si të depërtonin në trojet tona. Perëndimi e studioi kulturën dhe përvojat tona qytetëruese, e kuptoi se ku është pika e dobët dhe hyri prej saj. Kemi mbi shpatulla 15 shekuj përvoje me çifutët dhe e njohim mirë udhëzimin kur'anor në lidhje me ta, por megjithë këtë disa prej nesh u besojnë atyre dhe duan të bëjnë paqe me ta!!! Ky është një shembull i rënies dhe mungesës së vetëdijes historike qytetëruese.

Kur mendova të shkruaj për përvjetorin e 500-të të dëbimit të stërgjyshërve tanë muslimanë nga Andaluzia, më dhembi dy herë: së pari për tragjizmin e kësaj ngjarjeje të trishtueshme që ushton në thellësitë e zemrës së çdo muslimani, i cili shikon se si kufinjtë e Islamit po kafshohen pak e nga pak, dhe së dyti, se muslimanët e sotëm vazhdojnë që t'i paguajnë haraçin historik dhe qytetërues kolonizatorëve të djeshëm, sikur kjo histori të mos jetë historia e tyre!!!

Në konferencën historike të Madridit në tetor të vitit 1991, arabët shkuan me plot dëshirë që t'ua dorëzonin Palestinën çifutëve, tamam mu në zemër të Andaluzisë dhe mbi varret e muslimanëve, ashtu siç ia dorëzoi Ebu Abdullahu Grenadën mbretit të Kastilies në vitin 1491, plot 500 vjet përpara konferencës së Madridit. Zgjedhja e vendit nuk qe e rastësishme, por për t'u kujtuar arabëve dhe muslimanëve përvojën e hidhur të gjyshërve të tyre. Katër vjet pas takimit të Madridit pasoi konferenca e Barcelonës, pikërisht në atë krahinë që muslimanët e kishin sunduar për shekuj me rradhë, për të ravijëzuar një plan të ri kolonizues me emrin "Partneriteti Euromesdhetar" ndërmjet arabëve dhe Europës. Çfarë kërkon Europa fitimtare nga të mundurit? Ajo do pasuritë e tyre nëpërmjet një marrëveshjeje zyrtare në Barcelonë. Çdo gjë kryhet me anën të marrëveshjeve që i dikton fitimtari: marrëveshja e dorëzimit të Grenadës, marrëveshja e kristianizimit të muslimanëve të Andaluzisë, marrëveshja e Madridit, Oslos, Barcelonës...

HUMBJA E ANDALUZISË

Humbja e Andaluzisë është një tabllo tragjike e humbjes së lavdisë së muslimanëve, qytetërimit dhe krenarisë së tyre në histori, por ajo është edhe një tabllo e ligështimit të arabëve dhe muslimanëve, mosardhjes në ndihmë të vëllezërve të tyre, dhënies pas dynjasë, copëzimit dhe përçarjes së thellë të Ummetit Islam.

Fati e deshi që Andaluzia të ndodhej ndërmjet detit dhe fronteve të shumta kryqtare, të cilat qëndronin gati për t'iu hedhur asaj në grykë. Për tetë shekuj me rradhë, që kur e çliroi prijësi musliman berber Tarik Ibn Zijad, ajo luftoi me krishtërimin në emër të Islamit dhe u bëri ballë sulmeve të kryqtarëve. Por shteti i Islamit po shkonte drejt venitjes dhe përçarjes si pasojë e sëmundjeve të brendshme, të cilat kur shfaqen në një qytetërim, e çojnë atë drejt shkatërrimit, si dhe faktorëve të jashtëm të përfaqësuar nga mbretëritë e vogla të krishtera, të cilat tuboheshin për ta sulmuar dhe për t'i rrëmbyer atij bazat e ekzistencës, aq sa në shekullin e tetë hixhri, nga shteti i fortë i Islamit në Andaluzi nuk kishte mbetur veçse mbretëria e vogël e Grenadës, e cila u bënte ballë e vetme armiqve të saj kryqtarë të tubuar rreth saj.

Gjatë dekadave të përballjes me kryqtarët, muslimanët e Andaluzisë, pas Allahut (xh.sh.), kishin kërkuar përherë ndihmë nga trimat e Magrebit të largët, të cilët nuk kurseheshin duke ju dërguar ushtri dhe luftëtarë. Kur u shtrëngua dara kryqtare rreth Sevilies dhe Grenadës, emiri i murabitinëve Jusuf Ibn Tashfini dërgoi një flotë me 7.000 luftëtarë në gadishullin e gjelbërt, e cila marshoi drejt kështjellës së Alfonsit VI, mbretit të Kastilies. Të dy ushtritë u takuan në vendin e quajtur Zelaka, ku u zhvillua beteja e famshme historike me të njëjtin emër në fillimin e muajit të Ramazanit të vitit 479 hixhri, në të cilën muslimanët dolën fitimtarë.

Por shteti i muvah-hidinëve që pasoi atë të murabitinëve u godit shpejt nga ligështia dhe dobësimi, aq sa El-Me'mun Ibn El-Mensur El-Muvah-hidi, në vitin 624 hixhri bëri një marrëveshje me Ferdinandin III, mbretin kryqtar të Kastilies, në të cilën premtonte t'i paguante një haraç të madh, t'i dorëzonte dhjetë kështjella që do të zgjidhte vetë Ferdinandi dhe t'i ndërtonte një kishë në Marakesh. Nëse një i krishterë bëhej musliman, muvah-hidinët zotoheshin t'ia kthenin atë të krishterëve, ndërsa ndonjë musliman bëhej i krishterë, muslimanët nuk mund të bënin asgjë!!!

Kështu muslimanët e Andaluzisë nuk kishin më asnjë që të mbronte trojet e tyre. Emirët e mbretërive andaluziane u futën në konflikte për dominim dhe pushtet me njëri-tjetrin. Midis tyre filloi përçarja, e cila ushqehej nga armiqtë e tyre. Disa prej tyre arritën deri aty sa të bëheshin vasalë të kryqtarëve dhe t'i ndihmonin në luftë kundër vëllezërve të tyre muslimanë. Muhammed Ibn Abdulaziz Ibn Amir, sundimtari i Valencias, u bë aleat i Alfonsit VI, mbretit të Kastilies, i paguante atij haraç dhe i dorëzoi shumë kala dhe kështjella strategjike, gjë që e ndihmoi Alfonsin të pushtonte Toledon në vitin 478 hixhri. Muhammed Ibn Jusuf Ibn El-Ahmar, i cili themeloi mbretërinë e Grenadës, nënshkroi një marrëveshje me Ferdinandin III ku zotohej të bëhej vasali i tij, të njihte pushtetin e tij mbi mbretërinë e Grenadës, t'i paguante haraç dhe të bëhej anëtar i Kortesit (parlamentit) kastilian, bile i premtonte ta ndihmonte në luftë kundër muslimanëve, aq sa, në bazë të marrëveshjes, ushtria e Grenadës mori pjesë, së bashku me atë të Kastilies, në rrethimin e Sevilies në vitin 646 hixhri, gjë që çoi në rënien e saj në duart e kryqtarëve.

RRETHIMI I GRENADËS

Dhe erdhi shekulli i nëntë hixhri. Të gjitha anët e Andaluzisë kishin hyrë nën hijen e kryqit dhe në dorën e muslimanëve kishte mbetur vetëm mbretëria e Grenadës, në të cilën kishte plasur lufta civile. Nën komandën e Ferdinandit V, kryqtarët e rrethuan atë, pas disa vjet rezistence heroike nga Muhammed Ibn Saad, i njohur si Ez-Zagl, ushtria dhe banorët muslimanë. Ferdinandi V u fut në ultësirën e Grenadës me ushtrinë e tij të përbërë nga 40.000 këmbësorë dhe 10.000 kalorës, duke derdhur mbi muslimanët të gjitha llojet e torturave dhe vrasjeve. Ata dogjën të korrat, shtëpitë, therën banorët e pafajshëm dhe forcuan rrethimin e kështjellës së fundit të Islamit në Andaluzi. Muslimanët dërguan lajmëtarë për të kërkuar ndihmë në Egjipt dhe Turqi, por pa rezultat.

Të gjitha mbretëritë e tjera të Andaluzisë në Malaga, Almeria, Uadi Ash, Hama dhe Basta kishin hyrë nën dominimin e Kastilies dhe sundoheshin nga guvernatorë të krishterë, që i bindeshin mbretit të Kastilies. Një numër muslimanësh hoqën dorë nga Islami duke u bërë të krishterë, të tjerë ikën drejt Magrebit nga frika e vrasjeve dhe përndjekjeve, ndërsa pjesa e mbetur vërshoi drejt Grenadës për t'u mbrojtur, duke e mbushur plot qytetin.

Mbreti i Grenadës i ndiqte me vëmendje këto ngjarje dhe e ndjente se rënia e mbretërisë së tij ishte veçse çështje kohe. Vetëm tani e kuptoi gabimin që kishte bërë duke komplotuar kundër xhaxhait të tij, Ez-Zaglit, i cili ishte krahu më i fortë mbi të cilin mund të mbështetej në këtë situatë shumë të vështirë. Dhe shpejt u shfaqën shenjat e fundit, kur Ferdinandi dërgoi një lajmëtar tek Ebu Abdullah Muhammed Ibn Jusuf, me anën e të cilit i kërkonte atij t'i dorëzonte Alhambrën (El-Hamra) dhe të jetonte në Grenadë nën mbrojtjen e tij. Vetëm tani e kuptoi se sa ishte mashtruar kur bëri aleancë me mbretin e Kastilies. Ai mblodhi të gjithë parinë e mbretërisë dhe të gjithë ata e refuzuan dorëzimin, duke vendosur që ta mbronin deri në vdekje fenë dhe tokën e tyre. Në Grenadë u shpall gjendja e luftës. Ebu Abdullahu e nxiti popullin e tij për luftë dhe doli në krye të forcave të tij në përpjekje për rimarrjen e kështjellave fqinje që ishin dorëzuar. Banorët e krishterë të maleve El-Besherat që ndodhen pranë ngushticës së Gjibraltarit dhe ata përreth tyre u rebeluan. Ndërmjet tyre dhe muslimanëve u zhvillua një betejë ku fituan muslimanët. Ferdinandi u zemërua nga kjo fitore e papritur dhe një vit pas kësaj beteje, në vitin 896 hixhri, doli në krye të një ushtrie të madhe të pajisur me topa dhe armatime të shumta, duke u drejtuar nga Grenada. Ai ngriti kampin e tij në anën jugore të qytetit dhe për ushtrinë e tij ngriti një kështjellë të vogël të fortifikuar mirë, të cilën e quajti "Santa Fe" dmth "Besimi i shenjtë", si simbol i luftës fetare kundër Islamit. Kjo kështjellë gjendet akoma edhe sot. Në muajin xhumadel-ahire të vitit 897 hixhri filloi rrethimi i ri i Grenadës.

FUNDI I SHTETIT TË ISLAMIT NË ANDALUZI

Rrethimi i muslimanëve në Grenadë vazhdoi për shumë ditë me rradhë. Të kërcënuar nga uria, etja dhe vdekja, muslimanët nuk kishin rrugë tjetër veçse të luftonin deri në njeriun e fundit ose t'u dorëzoheshin kryqtarëve. Ata dilnin nga qyteti për të sulmuar dhe ktheheshin përsëri, duke pësuar humbje të mëdha. Mbarimi i rezervave ushqimore, hyrja e dimrit dhe përhapja e sëmundjeve dhe urisë e bindi më se një herë Ebu Abdullahun që të mendojë për fillimin e negociatave me Ferdinandin për dorëzimin e qytetit, sikur të mos ishte kundërshtimi i Ebu Musa Ibn Ebul-Gassan, i cili udhëhiqte luftën në malet El-Besherat. Kur guvernatori i qytetit Ebul-Kasim Abdulmelik pa se rezervat ushqimore po mbaroheshin dhe se nuk kishte kuptim të vazhdohej rezistenca, atëherë Ebu Abdullahu dhe njerëzit përreth tij vendosën të dorëzonin qytetin, duke dërguar Ebul-Kasimin për të negociuar me Ferdinandin. Por Ebu Musa i hipi kalit dhe u largua, duke e refuzuar poshtërimin dhe turpin. Thuhet se ai u hodh në sulm kundër kryqtarëve, duke vrarë shumë prej tyre, derisa u rrëzua nga kali. Ai e refuzoi mëshirën që i ofruan kryqtarët dhe vazhdoi të luftojë me heroizëm të pashoq derisa iu shterën fuqitë dhe u hodh në lumë.

Të dyja palët ranë dakord në lidhje me kushtet e dorëzimit të vëna nga Ferdinandi dhe ministrat e tij. Duke mos marrë asnjë ndihmë nga deti apo toka gjatë dy muajve, muslimanët ua dorëzuan qytetin e Grenadës kryqtarëve. Sipas marrëveshjes, që të gjithë, mbreti, komandantët, ministrat dhe dijetarët duhet t'i betoheshin për bindje dhe besnikëri ndaj mbretit të Kastilies. Ebu Abdullahut i jepeshin disa prona në malet El-Besherat. Mbreti i Kastilies u garantonte muslimanëve jetën, pasurinë, armët dhe kuajt pa asnjë kusht. Muslimanët lejoheshin të praktikonin lirisht ritet e tyre fetare. Xhamitë dhe institucionet e tjera fetare mbroheshin dhe muezinëve nuk u ndalohej që të thërritnin ezanin. Muslimanëve u lejohej që të ruanin zakonet, gjuhën dhe veshjet e tyre. Çështjet e tyre të brendshme gjykoheshin nga gjykatës muslimanë sipas sheriatit të tyre. Nuk ishin të detyruar të paguanin taksa më të larta se ato që u paguanin mbretërve të tyre. Asnjë i krishterë nuk lejohej që të hynte me dhunë në shtëpitë e muslimanëve dhe t'i poshtëronte ata. Liroheshin të gjithë robërit muslimanë të luftës. Cilido musliman që dëshironte të kalonte në Afrikë brenda një afati të caktuar mund ta bënte këtë me anijet e Kastilies kundrejt pagesës që nuk do të ishte më e madhe se ajo e anijeve të zakonshme. Pas mbarimit të afatit të caktuar, cilido musliman që dëshironte të udhëtonte, nuk do të ndalohej, por përveç pagëses së udhëtimit, do të paguante edhe 1/10 e pasurisë që mbante me vete. Asnjë musliman nuk do të përndiqej apo ndëshkohej për krimet e kryera nga të tjerët. Asnjë i krishterë që përqafonte Islamin nuk do të detyrohej të kthehej në fenë e vjetër. Muslimanit që donte të përqafojë fenë e krishterë, do t'i liheshin disa ditë kohë për t'u menduar dhe do të debatonte me një gjykatës musliman në prani të një gjykatësi të krishterë. Nëse këmbëngulte në qëndrimin e tij, do t'i lejohej të përqafonte fenë e krishterë. Ushtarëve të krishterë u ndalohej keqtrajtimi i muslimanëve dhe shpërngulja nga shtëpitë e tyre pa pëlqimin e tyre. Muslimanit që dëshironte të udhëtonte apo të qëndronte midis të krishterëve i garantohej siguria dhe pasuria. Muslimanët nuk ishin të detyruar të mbanin shenja dalluese si ato që mbanin çifutët.

Kështu, në muajin rexheb të vitit 897 hixhri, u nënshtrua Grenada dhe mori fund shteti i Islamit në Andaluzi. U mbyll kështu një faqe e lavdishme dhe u zhduk historia e qytetërimit të atjeshëm. Në bazë të marrëveshjes së dorëzimit, Ebu Abdullahu duhej të largohej nga Grenada për në malet El-Besherat. Kur u përhap lajmi i dorëzimit dhe kushtet poshtëruese të tij, muslimanët u indinjuan kundër mbretit të tyre, ndërsa ky i fundit bëhej gati të largohej. Pikërisht ditën kur të krishterët hynin në Grenadë, Ebu Abdullahu largohej nga pallati i tij dhe vendi i krenarisë dhe lavdisë së etërve të tij. Ai u paraqit përpara Ferdinandit dhe i zgjati atij çelsat e Alhambrës, duke i thënë: “Këto çelsa janë gjurma e fundit e shtetit të arabëve në Spanjë. Tani ti, o mbret, u bëre zotëruesi i trashëgimisë, trojeve dhe njerëzve tanë. Kështu e pati caktuar Allahu. Në fitoren tënde, tregohu i drejtë dhe i mëshirshëm!" Pastaj u drejtua nga mbretëresha Izabela për ta përshëndetur dhe u largua. Rrugës duke ikur, kur pa për të fundit herë Grenadën, e mbytën lotët dhe ia dha vajit. Aisheja, e ëma e tij, i tha: "Qaj si gratë për mbretërinë që nuk munde ta mbrosh si burrat!" Edhe sot e kësaj dite, një shkëmb në Spanjë mban emrin "Psherëtima e fundit e arabit". Një rrëfim thotë se Ebu Abdullahu ju lut Ferdinandit që ta mbyllte portën, nga e cila ai doli për të fundit herë, në mënyrë që askush të mos dilte më nga ajo.

POLITIKA KRYQTARE E SPASTRIMIT

Por, a e respektuan kryqtarët marrëveshjen e tyre? Aspak! Ferdinandi dhe Izabela as që kishin ndërmend t'u përmbaheshin kushteve të marrëveshjes së bërë me muslimanët, sepse ajo kishte qenë thjesht vetëm një mashtrim për të shtënë në dorë qytetin. Një rend i ri botëror po merret formë, siç thuhet në gjuhën e sotme, në majë të piramidës së të cilit qëndronin kryqtarët e rinj që përcillnin me shumë kujdes gjendjen e botës islame. Nuk kaloi as një vit dhe Ferdinandi dhe Izabela nxorrën një dekret, në bazë të të cilit muslimanët duhej të hiqnin dorë nga feja e tyre ose duhet të largoheshin nga vendi. Ata filluan ngritjen e gjykatave të Inkuizicionit, duke i detyruar me forcë muslimanët të bëheshin të krishterë. Më 1498, muslimanët iu nënshtruan një përndjekjeje të gjithanshme, duke u vënë përpara dy alternativave: kristianizimit ose vdekjes. Disa prej tyre u thyen, por shumica u kapën fort pas fesë së tyre dhe u strehuan në malet Eleb. Kryqtarët i ndoqën nga pas dhe therën barbarisht shumë prej tyre, ndërsa të tjerët ikën në drejtim të Magrebit të largët dhe Egjiptit.

Muslimanëve që mbetën në Grenadë dhe qytetet e tjera të Spanjës iu ngjit nofka tallëse "moresko" dmth "të krishterët e rinj", iu ndalua përdorimi i gjuhës së tyre arabe, iu imponuan me forcë veshjet e të krishterëve dhe iu ndaluan ndjekja e traditave dhe zakoneve të tyre. Ritet e tyre fetare i praktikonin fshehtas pas mureve të shtëpive që të mos ngjallnin dyshime në lidhje me "përqafimin" prej tyre të fesë së krishterë. Atyre iu vendosën me imponim emra spanjollë, u detyruan të shkruajnë dhe të flasin vetëm spanjisht dhe u vebdosën në fundin e hierarkisë shoqërore për të zhdukur çdo mundësi rishfaqjeje të shenjave të qytetërimit islam.

Qëllimet e kryqtarëve për dëbimin e muslimanëve nga Spanja katolike u realizuan në shkurt të vitit 1502, kur mbretëresha Izabela nxorri një dekret, në bazë të të cilit, të gjithë muslimanët dëboheshin nga Spanja. Filloi zbatimi i politikës së spastrimit etnik pas politikës së shfarosjes dhe miliona muslimanë u dëbuan. Një historian i asaj kohe shkruante: "Ishte një orë e zezë ajo kur kryqi zuri vendin e gjysëmhënës mbi kullat e Grenadës".

TË NGJASHME SI DY PIKA UJI

Humbi Andaluzia, por sa Andaluzi të reja në historinë tonë shikojmë të humbasin përpara syve tanë dhe ne qajmë e nuk jemi në gjendje t'i mbrojmë si burrat, siç tha nëna e Ebu Abdullahut? Sa marrëveshje që nuk zbatohen asnjëherë kemi nënshkruar me armiqtë tanë dhe megjithatë vazhdojmë të nënshkruajmë marrëveshje të reja?

Është për të ardhur keq që në harrojmë, ndërsa armiqtë tanë jo. Shikoni mbretin spanjoll Huan Karlos që pranon publikisht gabimin e bërë nga Izabela ndaj çifutëve, të cilët u dëbuan nga Spanja në bazë të dekretit të saj të 31 marsit 1492 dhe i kërkon zyrtarisht të falur presidentit të entitetit sionist, ndërkohë që nuk bën të njëjtën gjë ndaj muslimanëve që ishin të zotët e tokës dhe qytetërimit atje, ndërsa çifutët nuk qenë veçse një pakicë që jetuan nën sundimin e Islamit përpara se të vinin kryqtarët. Si u kërkon falje mbreti i Spanjës disa mijërave çifutëve dhe nuk u kërkon falje disa milionë muslimanëve që ishin të zotët e shtetit, sundimit dhe qytetërimit?

Edhe sot Spanja ndjek të njëjtën politikë spastrimi në Sibta dhe Melila që i ka pushtuar që në shekullin XV, duke dëbuar marokenët, duke luftuar Islamin dhe muslimanët dhe duke iu ndaluar atyre festimin e festave fetare dhe ndërtimin e xhamive.

Po, ngjajnë si dy pika uji Andaluzia me Palestinën, Sibtën, Melilën, Çeçeninë, Bosnjën, Kosovën, Kashmirin, Sudanin e jugut etj. Ai që lexon këto vargje, me të cilat Ebul-Beka Er-Rundi vajton humbjen e Andaluzisë, zbulon se ai vajton edhe për fatkeqësitë që përjetojnë muslimanët sot:

Qan hanifija (feja islame) e bardhë nga pikëllimi

Ashtu siç qan nga ndarja me shokun e dashur

Mbi vende që nga Islami janë boshatisur

Që qenë muslimane dhe me kufër janë mbushur

Ku xhamitë u shndërruan në kisha ku

Nuk ka veçse këmbana dhe kryqe

Deri mihrabët qajnë, ndonëse janë të gurtë

Deri minberet vajtojnë, ndonëse janë të drunjtë.

Përktheu:

Genc Mustafa Çurgu

Marrë nga revista kuvajtiane “El-Muxhtemea”

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"