HAXHI, PASTAJ VIZITA E XHAMISE EL AKSA NEN PUSHTIM


HAXHI, PASTAJ VIZITA E XHAMISE EL AKSA NEN PUSHTIM

Nga:
Dr. Jusuf El Kardavi



Pyetje: Ju keni një mendim të qartë dhe të ndarë në lidhje me vizitën në Xhaminë El Aksa, për të cilën keni dhënë një fetva të prerë. Kohët e fundit, qarkullojnë disa mendime të kundërta me këtë gjë, aq sa disa u kërkojnë haxhinjve që pas kryerjes së haxhit të shkojnë në Xhaminë El Aksa. Ju lutemi, na sqaroni mendimin tuaj nën prizmin fetar dhe politik!

Përgjigje: Lavdërimi i përket vetëm Allahut (xh.sh.). Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.
Mendimi im është që nuk i lejohet muslimanit jopalestinez që të shkojë për t’u falur në Xhaminë El Aksa, për sa kohë që ajo është e robëruar në duart e agresorëve sionistë, të cilët vazhdimisht derdhin gjak, vrasin fëmijët, shembin shtëpitë, djegin arat dhe dhunojnë çdo gjë të shenjtë.
Që prej shumë kohësh kam dhënë fetva mbi ndalimin e kësaj gjëje dhe kam marrë miratimin e dijetarëve të Palestinës dhe shumicës së dijetarëve të muslimanëve. Ata dijetarë që e kanë lejuar një gjë të tillë dhe të cilët janë shumë të pakët në numër, nuk e njohin realitetin dhe nuk e dinë se kjo gjë e dëmton çështjen palestineze. Kjo nuk është mirëpritur nga palestinezët dhe as pjesëmarrësit e Intifadës. Fetvaja duhet që ndërtohet duke marrë parasysh dy gjëra, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën:
1. Kuptimin e teksteve dhe argumenteve
2. Kuptimin e realitetit dhe asaj që ndodh.
Në lidhje me pretendimin e disave se vizita e Xhamisë El Aksa ndihmon në rimëkëmbjen ekonomike të banorëve të saj, themi se shteti i entitetit sionist (“Izraeli”) përfiton shumë herë më tepër nga taksat, pagesat e hoteleve e shumë të tjera. Ekziston një rregull, të cilën na e tregon Kur’ani në lidhje me ndalimin e alkoolit dhe bixhozit: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: "Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre.” (Bekare: 219), ndaj çdo gjë, gjynahu dhe dëmi i së cilës është më i madh se dobia e saj, është e ndaluar në fenë Islame.
Ai musliman që dëshiron të shkojë për t’u falur në Xhaminë El Aksa duket, sikur me veprimin e tij, e miraton agresionin dhe grabitjen e tokës nga Izraeli si dhe sikur e pranon autoritetin e tij mbi vendet e shenjta të Ummetit Islam. Muslimani i vërtetë duhet të refuzojë çdo gjë që nënkupton miratimin e grabitjes nga ana e këtij shteti grabitqar.
Si mund të pranojë muslimani të shkojë në Xhaminë El Aksa, kur shteti grabitqar vazhdon ta mbajë të pushtuar këtë xhami! Muslimani nuk mund të shkojë atje, veçse duke shkuar më parë në ambasadën e Izraelit për të marrë vizën, ta rregjistrojë në pasaportën e tij dhe të hyjë atje në flamurin dhe mbrojtjen izraelite. Kjo gjë është një formë e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, ndërkohë që ne kundërshtojmë çdo formë dhe shfaqje të këtij normalizimi.
Nga njëra anë, Izraeli thotë: “Unë ia hap derën të gjithë ithtarëve të feve që të adhurojnë në tempujt dhe xhamitë e tyre, nuk ndaloj askënd që do ta adhurojë Zotin e tij, sipas fesë së tij, dhe sovraniteti im mbi ato vende nuk cënon aspak lirinë e fesë.” Duke shkuar në El Aksa, ne u japim atyre argumente ose ua përforcojmë ato në pretendimet e tyre të gënjeshtërta, gjë e cila nuk lejohet as me logjikën e fesë dhe as me atë të politikës.
Nga ana tjetër, kjo gjë konsiderohet sikur ne jemi dakord me fallsifikimin e vetëdijes fetare tek muslimani, i cili në vend që të mendojë për detyrën e rezistencës për çlirimin e kësaj xhamie, e kanalizon tërë mendimin e tij se si të shkojë e të falet atje, ndonëse ajo është e robëruar në duart e Izraelit, kur duhet të mendojë se si të bëjë rezistencë, ta çlirojë atë dhe të ndihmojë ata që po bëjnë xhihad. Ne nuk duam që mendimi i tij të shmanget nga detyra e vërtetë në një gjë të fallsifikuar, në të kënaqurit me namazin në Xhaminë El Aksa. Nëse do të kënaqet me namaz me qëllim që të përfitojë fetarisht dhe të marrë sevape nga Allahu (xh.sh.), i themi se ka xhami të tjera ku namazi është shumë më i vlefshëm se namazi në Xhaminë El Aksa. Namazi në Xhaminë El Aksa ka vlerë sa për 500 namaze, ndërsa namazi në Xhaminë e Profetit në Medine është baraz me 1000 namaze dhe ai në Xhaminë e Shenjtë në Mekë me 100.000 namaze. Kush do që sevapet e namazit të tij të shumëfishohen në xhamitë e shenjta, le të shkojë në Xhaminë e Shenjtë të Mekës dhe Xhaminë e Profetit në Medine.

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"