KORREM ATE QE MBOLLEM!


KORREM ATE QE MBOLLEM!

Nga:
Dr. Fehmi Huvejdi
(shkrimtar dhe mendimtar i shquar egjiptian)

Kur nuk arritën që ta gjunjëzonin Gazën më armë, izraelitët ju drejtuan mashtrimit, në mënyrë që të realizonin më hile dhe manipulime, atë që nuk e arritën me avionët F-16, bombat fosforike dhe ato me copëzim.

1

Në fillim thanë se beteja e tyre ishte kundër Hamasit dhe jo kundër rezistencës së popullit palestinez, për ta detyruar atë të nënshtrohet. Ekspertët e Njësisë së Luftës Psikologjike në Shërbimet e Fshehta Ushtarake izraelite, të cilat njihet me emrin AMAN, menduan se shpifjet dhe nxitja kundër lëvizjes Hamas mund të çonte në rebelim kundër pushtetit të saj dhe në përmbysjen e tij. Si rrjedhojë, shikuesit e kanalit satelitor El Aksa të Hamasit, herë pas here, befasoheshin me ndërhyrjet në frekuencat e kanalit dhe transmetimin e spoteve propagandistike kundër udhëheqësve të Hamasit, në të cilët u mvisheshin atyre epitetet më negative dhe akuzoheshin se fshiheshin, ndërkohë që Gaza bombardohej. Veç këtyre, në një mesazh të dërguar nga Gaza javën e shkuar, kolegu ynë dhe gazetari palestinez Salih En-Nuami na përshkruante se si ekspertët e luftës psikologjike në ushtrinë izraelite fabrikonin spote propagandistike për të tronditur moralin e shikuesve të kanalit satelitar El Aksa, p.sh. transmetonin një pamje të vizatuar të një luftëtari të Kassamit, i cili dridhej nga frika dhe tmerri dhe më pas ia mbathte nga fusha e betejës. Duke shfrytëzuar epërsinë e tyre teknologjike, ata ndërhynin në valët e radios El Aksa të Hamasit dhe transmetonin spote radiofonike, në të cilat Hamasi akuzohej se ishte lëvizje terroriste, të cilës nuk i interesonte aspak populli palestinez, si dhe se ishte vegël e Iranit dhe armike e paqes.
Përveç ndërhyrjeve në transmetimet audiovizive, ushtria izraelite hodhi mbi vendbanimet palestineze me dhjetëra mijëra fletushka të shkruara në gjuhën arabe, të cilat përqëndroheshin të gjitha në “argumentin”, të cilin e valvit pandërprerë në të gjitha mjetet e informacionit, ku pretendohet se Hamasi është pengesa e vërtetë në rrugën e realizimit të paqes tani dhe se po të mos ishte Hamasi, ëndrra e krijimit të dy shteteve do të ishte realizuar me kohë dhe Rripi i Gazës do të notonte në një bollëk ekonomik. Në të njëjtën kohë, Izraeli i përdori të gjitha mjetet e saj zyrtare të informacionit në gjuhën arabe, valët e të cilave arrijnë në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe disa vende arabe, në përpjekje për të prishur imazhin e lëvizjes Hamas. Radio dhe televizioni izraelit në gjuhën arabe u dhanë hapësirë të gjërë shumë analistëve çifutë, të cilët e flasin rrjedhshëm arabishten, për të sulmuar Hamasin dhe për të akuzuar udhëheqësit e tij se fshiheshin në bodrumet e spitalit “Esh-Shifa”, se luftëtarët të tij visheshin me uniformat e punonjësve mjekësorë, se shumë njësi të Brigadave të Kassamit ishin shpartalluar dhe se aktivistët e Kassamit kishin hequr uniformat ushtarake dhe fshiheshin në mesin e njerëzve.

2

Këto mjete, të cilat synojnë nxitjen e përçarjeve dhe dobësimin e vendosmërisë, nuk janë diçka e re në fushën e luftës psikologjike, megjithatë Izraeli nuk hezitoi t’i përdorë ato krahas mjeteve të tjera, më e reja e të cilave ishte deklarimi botërisht se ai e kishte ndaluar luftën në mënyrë të njëanshme. Me këtë deklarim të ndyrë, Izraeli synon të vrasë dy zogj me një gur. Së pari, të amortizojë zemërimin dhe urrejtjen që u shfaq haptas në kryeqytetet e ndryshme botërore, pasi u shfaqën pamjet e krimeve të përbindshme të kryera prej tij, ku u shkelën të gjitha ligjet dhe zakonet, gjë që solli shpërthimin e demonstratave masive dhe demaskimin e imazhit të Izraelit, të cilin ai është përpjekur gjithmonë që ta fshehë nën maska të ndryshme. Ky hap përfaqëson një mashtrim nga ana e Izraelit, me të cilin do të krijojë përshtypjen se ai nuk e dëshiron vazhdimin e luftës dhe synon vendosjen e paqes.
Së dyti, ai dëshiron ta ndalë këtë serial, i cili zgjati më shumë se sa është në gjendje të përballojë dhe për të cilin nuk sheh asnjë fund. Të gjithë raportet izraelite bien dakord në faktin se plani ushtarak izraelit u bazua mbi vlerësimin se dorëzimi i Gazës do të zgjaste nga 3-10 ditë. Por surpriza ishte se beteja zgjati tre javë, gjatë së cilave raketat e rezistencës vazhduan të lëshohen çdo ditë drejt kolonive çifute dhe pjesëtarët e rezistencës u bënë ballë të gjitha përpjekjeve për depërtim dhe përparim. Kjo gjë e bindi komandën izraelite se lufta mund të zgjaste shumë, duke i stërlodhur dhe ngarkuar me një barrë që nuk e kishin llogaritur (harxhimi ditor i tyre ishte 200 milionë dollarë), në të cilën përfshihen thirrja nën armë e mijëra rezervistëve, pajisja e tyre me armatimin dhe municionionin e domosdoshëm për një luftë të gjatë, për të cilën nuk janë mësuar.
Veç kësaj, Izraeli deshi që ta zgjidhë këtë çështje dhe të imponojë një realitet të ri, përpara se administrata e re amerikane të fillojë punën, pasi presidenti i zgjedhur Obama të marrë sot zyrtarisht postin e presidentit. Nuk duhet harruar se më 10 shkurt zhvillohen zgjedhjet në Izrael dhe udhëheqësit që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, Livni e Kadimës dhe Baraku i Partisë Laburiste, duan të vjelin frytet e betejës që rriti vlerën e aksioneve politike të tyre përballë konkurrentit të tyre Biniamin Netaniahu, i cili garon me ta në shtypjen dhe eliminimin e palestinezëve.
Fytyra e ndyrësisë në vendimin izraelit qëndron në faktin se, ndërkohë që përpiqet që të amortizojë zemërimin nga jashtë, u ngre kurth rezistencës palestineze nga brenda dhe ua mban shpatën e pushtimit mbi kokë, sepse ndalimi i zjarrit nuk u shoqërua me tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, që do të thotë se këto forca do të qëndrojnë në pozicionet e tyre brenda Rripit, gjë që do ta bëjë gjendjen e tanishme më të keqe se ç’ishte përpara invazionit, kur trupat qëndronin në gadishmëri jashtë Rripit. Meqenëse vendimi i ndalim zjarrit nuk u mor në marrëveshje me palën tjetër (palestinezët), atëherë ai nuk përmban asnjë detyrim, domethënë se ai që e ndaloi zjarrin me dëshirën e tij, mund ta vazhdojë luftën në çdo çast me një vendim të njëanshëm.
Nga ana tjetër, prania e forcave të pushtimit brenda Rripit shkaton një bezdi për rezistencën dhe përbën një objektiv për pjesëtarët e saj. Nëse rezistenca ushtron të drejtën e saj të vetëmbrojtjes legjitime dhe përleshet me ato forca, do të thuhet menjëherë se ishte ajo që e shkeli vendimin e ndalim-zjarrit, gjë që u jep izraelitëve pretekstin që të ndërmarrin operacione ndëshkimore dhe të vazhdojnë “holokaustin” palestinez. Nëse forcat e rezistencës shfaqen nën hijen e ndalim-zjarrit, kjo gjë i zbulon ata dhe lehtëson vëzhgimin e tyre, si pasojë u jep mundësi izraelitëve t’i eliminojnë ata njëri pas tjetrit.
Për shkak të gjithë këtyre, shpallja e këtij vendimi nga Izraeli u siguron këtij të fundit shumë përfitime dhe e vendos rezistencën në vështirësi. Jo më pak i rëndësishëm është fakti se ky vendim praktikisht çon në rrëzimin e nismës egjiptiane dhe tejkalimin e saj, ndonëse kryeministri izraelit deklaroi se vendimi shkon në të njëjtin drejtim me nismën. Ky deklarim nuk është pa poshtërsi, sepse më të vërtetë nisma bën thirrje për ndalim-zjarri, por e kushtëzon me tërheqjen e plotë nga Rripi. Kështu vendimi izraelit i përgjigjet thirrjes për ndalim-zjarri, por i lejon forcat e pushtimit të qëndrojnë në pozicionet që kanë zënë brenda Rripit.

3

Pasi dështoi në asgjësimin e rezistencës dhe ndalimin e lëshimit të raketave, Izraeli u përpoq t’i shterë burimet e fuqisë së saj nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar më 16 janar me SHBA-në për ndalimin e trafikimit të armëve në Gaza, e cila është marrëveshja më e çuditshme që mund të nënshkruajnë shtetet, sepse tema e saj kryesore është mënyra e rekrutimit të mundësive amerikane dhe evropiane për ndalimin e armatimit të rezistencës në një vend që ndodhet nën pushtim. Kjo do të thotë vetëm një gjë: Izraeli do që të tubojë amerikanët dhe evropianët, krahas disa vendeve të rajonit, jo për garantimin e sigurisë së Izraelit të armatosur deri në dhëmbë me 200 bomba bërthamore, por garantimin e vazhdimit të pushtimit të Rripit të Gazës, duke ia lidhur duart rezistencës dhe paralizuar mundësitë e saj për lëvizje, gjë e paprecedent në historinë bashkëkohore.
Çuditë e marrëveshjes nuk kanë të mbaruar. Palët në të janë Izraeli dhe SHBA-ja, ndërsa tema e saj lidhet me çështje egjiptiano-palestineze. Në preambulën e saj përmendet se kontrolli i kufinjve të Gazës është gjë e domosdoshme për garantimin e ndalim-zjarrit në Rripin e Gazës. Për qetësimin e Egjiptit dhe kalimin prej saj të kësaj pike, preambula shpreh vlerësimin e saj për qëndrimin e presidentit Mubarak (dhe jo qeverisë egjiptiane), të cilit iu përmbajt në sigurimin e kufinjve të Gazës (nënkuptohet përkushtimi i tij për mbajtjen mbyllur të vendkalimit kufitar të Rafahut).
Nga çuditë e marrëveshjes është se ajo thekson në preambulën e saj se armatosja e rezistencës në Gaza është shkaku i drejpërdrejtë i invazionit nga ana e ushtrisë izraelite, duke nënvizuar se lufta erdhi si reagim ndaj “terrorizmit” palestinez dhe mbi bazën e këtij diagnostifikimi, të dy palët konsiderojnë se nuk ka rrugë për zgjidhjen e problemit të terrorizmit veçse duke ia mbyllur rrugët e trafikimit të armëve në Gaza me të gjithë mënyrat e mundshme.
Pasi e përmbys gjendjen në këtë mënyrë dhe konsideron se pushtimi është ai që ka nevojë për qëndrueshmëri e siguri dhe se rezistenca është problemi, i cili duhet eliminuar, të dy palët vendosën si më poshtë:
• Bashkëpunimin amerikano-izraelit me fqinjët dhe komunitetin ndërkombëtar, domethënë mobilizimin e të gjithë botës për ndalimin e armatosjes së organizatave terroriste (organizatave të rezistencës) dhe në veçanti të lëvizjes Hamas.
• Krahas konsensusit mbi këtë qëndrim, të dyja palët, amerikanët dhe izraelitët, do të punojnë së bashku me NATO-n për vëzhgimin dhe kontrollin e çdo rruge të dërgimit të armëve tek palestinezët e Gazës nëpërmjet detit, qoftë nga ujërat e Detit Mesdhe, Gjirit të Adenit, Detit të Kuq apo Afrikës Lindore.
• Shkëmbimin e informacioneve lidhur me trafikimin e armëve tek rezistenca përmes koordinimit ndërmjet shërbimeve të fshehta të shteteve të rajonit dhe atyre të qeverisë amerikane me në krye Komandën e Përgjithshme dhe Komandën e sektorit të Evropës, krahas Komandës së Afrikës dhe asaj të Operacioneve Speciale.
• Shtetet e Bashkuara zotohen që t’i ofrojnë Izraelit të gjitha fotografitë e mbështetjes informative dhe teknologjike, si dhe zotohet që të stërvitë ekipet teknike, me të cilët qeveritë e rajonit do të marrin pjesë në proces (shtetet nuk përcaktohen).
• Për sa i përket bashkëpunimit ushtarak ndërmjet dy vendeve për zbatimin e pikave të marrëveshjes, me këtë do të merret grupi amerikano-izraelit i luftës kundër terrorizmit dhe grupi i politikës së përbashkët ushtarake, si dhe do t’i nënshtrohet vlerësimit të përvitshëm në takimet ushtarake që do të organizohen nga të dy palët për diskutimin e çështjeve të ndryshme me interes të përbashkët.

4

Ajo që bëmë vetë në trajtimin e kësaj kasaphane, nuk është më pak e mjerë se ajo që na bënë, sepse institucionet tona politike dhe mediatike dështuan në diagnostifikimin e skenës që në çastet e para, duke e injoruar në mënyrë katastrofike faktin e goditjes që iu bë rezistencës dhe synimin izraelit për nënshtrimin dhe gjunjëzimin e Rripit të Gazës, aq sa më vjen turp të them se fletushkat e hedhura nga avionët izraelitë mbi qendrat e banuara të Gazës flitnin me të njëjtin gjuhë të shprehur në shumë artikuj që dolën në gazetat egjiptiane dhe arabe që botohen në Londër. Ato u morën me akuzimin e Hamasit dhe qërimin e hasapeve me të, duke ia ngarkuar atij përgjegjësinë e asaj që ndodhi, në vend që të merreshin me ndriçimin e opinionit publik të faktit se po goditej rezistenca dhe se pushtuesi ishte krimineli dhe armiku. Nuk dua të përmend këtu deklaratat e turpshme të disa zyrtarëve të lartë që thanë se Hamasi nuk i kishte dëgjuar këshillat, ndaj e meritonte atë që po ndodhte, duke kriminalizuar kështu çuditërisht viktimën dhe justifikuar paturpësisht agresorin.
Eshtë e vërtetë se fjalët e helmuara u tërhoqën (ndoshta nga turpi) kur rezistenca bëri qëndresë dhe nuk u shemb ashtu siç prisnin agresorët (tamam ashtu siç ndodhi me Hizbullahun në luftën e Libanit më 2006-tën) dhe kur u zbuluan krimet e përbindshme të kryera nga izraelitët, të cilët e shndërruan Gazën në një lumë gjaku, në të cilin lundronin kufomat dhe gjymtyrët e palestinezëve. E poshtëruam rezistencën që në çastet e para të invazionit, ndonëse disa zyrtarë pretenduan se nuk ishin kundër saj, por është fakt i pamohueshëm se ata nuk ishin me të. Po ashtu shumica e rregjimeve tona i poshtëruan popujt e tyre, kur nuk ia dolën që të shpallin një qëndrim të prerë kundër agresionit që në fillim, gjë që izraelitët e konsideruan si dritë jeshile për vazhdimin e kasaphanës, aq sa e inkurajuan zonjën Livni, ministren e jashtme të “armikut”, të deklaronte haptas se ajo tani “përfaqësonte arabët e moderuar!!!” (Revista “Newsweek” e 20 janarit).
Ata u mbrojtën nga dështimi arab dhe në vakuumin arab përparuan dhe bënë çfarë deshën, aq sa i poshtëruan miqtë e tyre “të moderuar” me ndalim-zjarrin e njëanshëm, që e interpretuan sipas oreksit të tyre dhe vazhduan t’i poshtërojnë, aq sa bënë marrëveshje për mbytjen e rezistencës pikërisht në kufinjtë tanë. Dhe nuk kemi pse t’i qortojmë për këtë, sepse ne korrëm atë që mbollëm.

Marrë nga aljazeera.net
Shqipëroi: Genc Çurgu

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM

KUDSI - ÇËSHTJE E ÇDO MUSLIMANI

Libri "Perpara se te shkaterrohet Xhamia El Aksa"